Nisma sociale për gratë e vajzat të familjeve në gjakmarrje

9-23

Gjakmarrja është ende prezente në Shqipëri, duke u shkaktuar probleme të theksuara izolimi familjeve që e vuajnë. Nënat nuk punojnë, por u duhet të mbajnë shtëpinë dhe shpesh marrin rolin e kryefamiljares për shkak të mungesës së burrit. Në këto familje nuk mungojnë as problemet me faturat e energjisë elektrike, të cilat shpesh lihen pa u paguar ose vonohen për muaj me radhë.

Liljana Luani është mësuese e ciklit të ulët në Shkodër që, krahas punës si mësuese, ndihmon familjet që kanë probleme me gjakmarrjen, kryesisht në qarkun e Shkodrës.

1-48

 

Përveç arsimimit të fëmijëve, për Liljanën shumë i rëndësishëm mbetet punësimi dhe kualifikimi i nënave pasi sipas saj, ato janë faktori kyç në edukimin e fëmijëve.

Liljana tregon për dritare.net, tre histori të familjeve që përpos ngujimit kanë vuajtur problemin e mungesës së energjisë elektrike.

“Një ditë të ftohtë dimri më telefonoi Maria nga Shkodra, nëna e katër fëmijëve, që me zë të dridhur më tha: Mësuese, na kanë prerë dritat. Dita ishte shumë e ftohtë. U ndjeva shumë keq dhe për momentin nuk dija kujt t’i drejtohesha, pasi në fund të fundit ligji kërkon që energjia elektrike të paguhet. Mirëpo te familja e Marias askush nuk punon, madje të gjithë janë të sëmurë. Maria vuan nga depresioni ndërsa fëmijët i ka në ditë të hallit. Djali i madh vuan nga alergjia, por nuk mund të kurohet, pasi vetëm një gjilpërë alergjie kushton 100 euro. Vajza e vogël është kocë e lëkurë dhe i bien flokët nga ushqimi i njëanshëm që ha. Varfëria e tyre i ngjan asaj të shkrimeve Migjeniane. Nuk kanë me se të ngrohen, madje edhe lopën e mbajnë brenda në shtëpi se nuk kanë oborr ku ta vendosin. Në këto kushte u lidha me drejtorinë rajonale të OSHEE në Shkodër, të cilët e zgjidhën problemin me energjinë në familjen e Marias.”

8-27

Historia tjetër është e një nëne të ngujuar nga rrethinat e Shkodrës që fati deshi të fillojë punë.

Drande Kola është nëna e dy fëmijëve të vegjël, që jetojnë vetëm me asistencë sociale dhe nuk kanë asnjë mundësi për ta paguar energjinë elektrike. Burri i është vrarë kur ishte 26 vjeç për motive gjakmarrjeje dhe prej asaj kohe është bërë nënë e babë për fëmijët.

“Nuk mund ta lija pa ndihmuar këtë familje. Kontaktova me përgjegjës nga zyra e OSSHE të cilët m’u përgjigjën pozitivisht dhe morën përsipër ta ndihmonin gruan duke e punësuar. Kur erdhëm bashkë në Tiranë që të lidhte kontratën me OSHEE, ajo mend fluturonte nga gëzimi.”

3-44

“Nuk mund të le pa përmendur rastin e një familjeje në Nervataj të Shkodrës, pjesë e së cilës janë edhe dy djem jetimë të cilët që kur prindërit ju vranë, mbetën pa shtëpi. Prej atij momenti u vendosën në familjen e xhaxhait në Nevrataj. Por banesa ka shumë probleme, edhe për shkak se ndodhet afër një lumi aty pranë, që rrezikon infrastrukturën e saj. Njëri nga djemtë më njoftoi se u ishin ndërprerë dritat pasi kishin kohë që nuk i paguanin. Kërkova sërish ndihmën e drejtorit të OSHEE në Shkodër i cili e zgjidhi problemin e energjisë për këtë familje. Tanimë ata kanë drita 24 orë.”

Liljana përfundon se probleme me energjinë nuk ka vetëm në rrethin e Shkodrës, por edhe në Tropojë, Has, Mirditë e Lezhë.

“Policia e shtetit po punon për të evidentuar rastet e gjakmarrjes, duke ja drejtuar më pas listat përkatëse zyrave të OSHEE. Vetëm kështu mund të evidentohen rastet e gjakmarrjes që realisht kanë probleme me energjinë elektrike.”

7-25

Sipas burimeve, për dritare.net, nga zyra e OSHEE në Tiranë, në vëmendje të OSHEE kanë qenë kategori të veçanta familjesh në nevojë, siç janë pensionistët, familjet që marrin ndihmë ekonomike, që kanë borxhe të akumuluara ndër vite ndaj kompanisë dhe nuk kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e prapambetura.

Për këto kategori, prej dy vitesh po aplikohen skema lehtësuese të pagesës me këste të vogla mujore të debisë, duke ofruar dhe reduktim të kamatëvonesës.

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE, përveç detyrave të tij për të ofruar shërbim cilësor ndaj qytetarëve, mbledhjen e të ardhurave, investimet etj., në dy vitet e fundit ka hartuar politika sociale, njësoj si simotrat e saj në botë, duke kontribuar në mënyrë indirekte dhe në zbutjen e varfërisë.

Nga skemat lehtësuese të shlyerjes me këste të debisë ndaj OSHEE kanë përfituar rreth 200 mijë familje.

Përveç kësaj, ne kemi aplikuar dhe një nismë tjetër për të gjithë familjet në nevojë, reduktimin e plotë të kamatëvonesës kundrejt pagesës me 10 lekë.

Janë këto nisma dhe nisma të tjera që do vazhdojnë gjatë gjithë vitit 2016, të cilat do të krijojnë fizionominë e qartë që OSHEE nuk do të fokusohet vetëm tek mbledhja e të ardhurave të konsumit, por dhe duke pasur në vëmendje shtresat në nevojë,” thotë për dritare.net, drejtori i zyrës së medias në kompaninë OSHEE, Ardian Kola.

4-37

Sipas Kolës, me porosi të veçantë të administratorit të OSHEE, z. Adrian Çela, drejtoria rajonale e OSHEE në Shkodër, në bashkëpunim dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që punojnë me familjet e prekura nga fenomeni i gjakmarrjes, kanë nisur evidentimin e familjeve të ngujuara në të gjithë qarkun e Shkodrës, të cilët janë debitorë ndaj kompanisë.

“Drejtori i OSHEE për rajonin e Shkodrës, Ersi Sulejmani, ka angazhuar strukturat e OSHEE në Malësinë e Madhe, Kukës, Tropojë, Pukë dhe Shkodër të cilët pas një pune 3 mujore me policinë e shtetit, bashkitë respektive dhe aktivisten e shoqërisë civile Liljana Luani, kanë evidentuar rreth 60 familje të ngujuara që rezultojnë me borxhe të akumuluara ndër vite ndaj kompanisë OSHEE.

9-23

Bazuar në rekomandimin e administratorit të OSHEE, për familjet në fjalë janë marrë masa që të furnizohen normalisht me energji elektrike pavarësisht se janë debitorë”.

Njëkohësisht, OSHEE po sheh mundësimin e ofrimit të punës për gratë e vajzat që vijnë nga familjet e ngujuara.

Një nga këto raste është i Drande Kolës, që prej më shumë se dy javësh po punon si specialiste në zyrën e drejtorisë rajonale të OSHEE, në Shkodër.

“Drandja ka përfunduar universitetin si dhe ka kryer disa kurse kualifikimi të ofruara nga shoqata.

Po shihet mundësia e punësimit edhe e rasteve të tjera të grave dhe vajzave që jetojnë në familjet e ngujuara.

Ne jemi në pritje të ofrimit të dokumentacionit përkatës për rastet e konstatuara nga shoqata, për t’i punësuar ato në strukturat e kompanisë OSHEE në qytete e rajone”, shprehet drejtori i zyrës së shtypit në OSHEE./dritare.net

Pin It