Borxhet e ARMO-s, 1200 punonjës kërkojnë pagat e tyre

 

armo1

Ish-punonjësit e rafinerisë të naftës ARMO po vuajnë pasojat e falimentimit të kësaj kompanie. Prej disa ditësh 700 punonjës, të cilët nuk kanë marrë pagën prej muajsh të tërë, po protestojnë përpara kryeministrisë.

Kompania ARMO iu detyrohet secilit prej 1200 punonjësve të saj 7-10 milionë lekë të vjetra. Ata akuzojnë kompaninë private azere për abuzime dhe korrupsione, por kërkojnë ndihmë nga shteti si zotërues i 15% të aksioneve.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, fajëson qeverinë paraardhëse për realizimin e një privatizimi të dështuar dhe shpjegon se shtetëzimi është i pamundur, sepse një gjë e tillë do ta çonte sistemin bankar në krizë.

“Ajo çfarë po bëjmë ne si qeveri është se po shikojmë mundësitë që përmes bankave të bëhet një ristrukturim i kësaj ndërmarrjeje. Kuptohet, edhe shteti të shohë çfarë mund të heqë dorë ndonjë gjë, por realisht është një proces jashtëzakonisht i vështirë. Disa bëjnë paralelizëm me rastin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike por nuk është njësoj. Në rastin e kompanisë së energjisë ishte një aset unik që është energjia e vendit dhe është e pamundur që të shkojë në falimentim. Në rastin që flasim, kemi të bëjmë me një ndërmarrje private e cila falimentoi dhe kjo është situata”, tha Gjiknuri.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë thotë se borxhet e ARMO-s ndaj bankave, kompanive të tjera, punonjësve dhe shtetit shqiptar arrijnë në total vlerën 595 milionë dollarë.

 

Pin It