Rregullat e reja për kontabilistët dhe gjobat për shkeljet

kontabilist-i-miratuar-bm

Shqyrtimi dhe kontrollimi i veprimtarisë ekonomike e financiare të bizneseve do të rregullohet sipas një ligji të ri që parashikon gjoba për parregullsitë e ndryshme. Ligji synon rregullimin e profesionit të kontabilistit me qëllim rritjen e cilësisë dhe përgjegjësisë së atyre që merren me revizionimin (auditimin) e firmave të ndryshme.

Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimet në projektligjin “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”.

Sipas ndryshimeve të bëra Bordi i Mbikëqyrjes Publike do të ketë më shumë pavarësi dhe peshë në mbikëqyrjen e profesionit të kontabilistit. Kjo do të arrihet përmes ndërimit të një strukture teknike mbështetëse.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu përmirësimin e procesit të certifikimit, mbikëqyrjes së cilësisë dhe saktësimin e masave disiplinore për shkeljet e ndryshme si më poshtë:

– Gjoba nga 50 000 -150 000 lekë, merret në rastet kur audituesi ligjor ka bërë kërkesë për çregjistrim, me arsyen e fillimit të një veprimtarie të re, dhe e ka nisur veprimtarinë e re, që u sjell dëm interesave etike e morale të profesionit, përpara marrjes së vendimit nga Komiteti i Regjistrimit.

– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast se, në përfundim të procesit të kontrollit të cilësisë, rezulton që puna audituese nuk është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe me kërkesat e këtij ligji e akteve nënligjore.

– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rastin e mosdhënies së informacionit apo dokumentacionit të kërkuar nga autoritetet përgjegjëse, në kuadër të procesit të kontrollit të cilësisë.

– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast të mosndjekjes së rregullave dhe procedurave të auditimit, si rrjedhojë e një opinioni të mangët ose të gabuar për pasqyrat financiare subjekt auditimi.

– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rast se nuk respektohen kërkesat e parashikuara nga neni 34, i këtij ligji, për mbrojtjen e konfidencialitetit.

– Gjoba, në masën 50 000 – 100 000 lekë, merret në rastin kur informacionet vjetore statutore, të paraqitura pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë, përmbajnë informacion të pavërtetë.

 

 

Pin It