OBSH: “Njihni hepatitin, veproni tani!”

webmd_rf_photo_of_liver_and_hepatitis_virus

Në Ditën Botërore të Hepatitit 2016, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje politikëbërësve, stafit shëndetësor dhe publikut “Të njohin hepatitin, të veprojnë tani!”

OBSH-ja bën thirrje që të informohemi në lidhje me infeksionin, të ndërmarrim nisma pozitive për të njohur statusin e infektimit me virusin e hepatiteve duke u testuar dhe së fundi të kërkojmë trajtim për të reduktuar vdekjet e panevojshme nga ky infeksion i parandalueshëm dhe i trajtueshëm. Rreth 95% e njerëzve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre.

“Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Megjithatë, disa njerëz shfaqin shenja që zgjasin disa javë duke përfshirë zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përziera, të vjella dhe dhimbje barku. Një pjesë e personave me hepatit mund të zhvillojnë dëmtim akut të mëlçisë që mund të çojë në vdekje.

Te disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Mbi 90% e të rriturve të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit B, por që nuk kanë komplikacione, do të shërohen natyrshëm nga virusi brenda vitit të parë.

Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët më të vegjël se 6 vjeç të cilët infektohen me virusin e hepatitit B kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike: 80-90% e foshnjave të infektuara gjatë vitit të parë të jetës dhe 30-50% e fëmijëve të infektuar para moshës 6 vjeç zhvillojnë infeksion kronik. Ndërsa më pak se 5% e të rriturve që janë të infektuar do të zhvillojnë infeksion kronik; rreth 20-30% e të rriturve me infeksion kronik do të zhvillojnë cirrozë ose kancer të mëlçisë”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Pin It