OKB: 40% e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë

albania-harta-migrant

Rreth 40% e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë në vende të ndryshme të botës. Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi hartën globale të origjinës dhe destinacioneve të emigrantëve, e cila tregon se 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në shtete të tjera.

Të dhënat i përkasin vitit 2015 dhe sipas tyre vendet me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë janë Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Pas tyre vijnë Gjermania dhe Kanadaja me 20 mijë emigrantë në secili shtet dhe Mbretëria e Bashkuar me 10 mijë emigrantë shqiptarë.

Censusi i fundit i INSTAT tregoi se në Shqipëri jetojnë rreth 2.86 milionë banorë, por kjo shifër mund të ketë ndryshuar si rrjedhojë e valës së emigracionit gjatë vitit 2015. Sipas të dhënave të Eurostat gjatë 2015 numri i azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian u rrit me 439%. Aplikimet për lotarinë amerikane shënuan rritje gjithashtu, duke arritur në 200 mijë.

Raporti thotë se emigrantët në të gjithë botën përbëjnë rreth 3.3% të popullsisë botërore dhe gjatë 2015 pati një shtim të ndjeshëm të njerëzve që lanë vendin e tyre.

Sipas OKB pjesa më e madhe e emigrantëve kalojnë kufijtë për arsye konomike dhe kushte më të mira sociale.

Pin It