OKB cilëson 3 vitet e fundit si më të nxehtat në histori

Tri vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në histori, sipas agjencisë së OKB-së për Mjedisin.

Organizata Botërore e Meteorologjisë e konsideron vitin 2016 si më të ngrohtin nga të gjithë, duke e lidhur këtë me pasojat e fenomenit klimatik “El Nino”. Edhe viti 2017 ishte i nxehtë, sipas saj, edhe pse efekti i “El Nino”-s në këtë rast mungoi.

Nga përllogaritjet e ekspertëve të kësaj organizate rezulton se temperatura mesatare e sipërfaqes së botës vitin e kaluar ishte 1.1 gradë Celsius mbi nivelet e pararevolucionit industrial të viteve 1750-1850.

Këto përfundime bazohen te të dhënat e Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Armosferike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrës Meteorologjike të Britanisë, Qendrës europiane për Parashikimin e Motit dhe Agjencisë Meteorologjike japoneze.

NASA shkruan në “Twitter” se viti 2017, i dyti më i nxehtë në Tokë, ishte vazhdimi i një prirjeje disadekadëshe me ngrohje të motit. Ngrohja në shkallë globale ka nxitur paralajmërimet e ekspertëve se planeti ynë po i afrohet kufirit të caktuar në marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, e cila bën thirrje për kufizimin e rritjes së temperaturave nën kufirin e dy gradëve Celsius.

Vendimi i presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga kjo marrëveshje e ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar dhe i ka vështirësuar përpjekjet e përbashkëta për t’u hedhur në veprim.

 

 

Pin It