Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësimin e tij para Këshillit të të Drejtave të Njeriut, për rritjen e populizmit dhe të forcave ekstremiste. Guterres deklaroi se minoritetet, komunitetet autoktone dhe grupe të tjera vazhdojnë të jenë subjekte të diskriminimeve dhe keqtrajtimeve në të gjithë botën.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos i shmanget përgjegjësive përballë rritjes së numrit të personave që po largohen nga shtëpitë për shkak të luftërave në shumë vende të botës.
“Vërejmë një rritje të fenomenit pervers të populizmit dhe ekstremizmit, që ushqehen reciprokisht në sfondin e valës raciste, ksenofobe, antisemite dhe islamofobe, mes formave të tjera të intolerancës”, deklaroi kreu i OKB, në fjalën e tij në hapjen e seancës së 34 të këshillit.