OKB voton rezolutën kundër armëve bërthamore

okb

Shtetet anëtare të OKB-së votuan të enjten në mbrëmje pro nisjes së negociatave për një marrëveshje që ndalon të gjitha armët bërthamore.

Rezoluta mori 123 vota pro, 38 vota kundër dhe 16 abstenime, ndërkohë që shtetet me arsenal bërthamor si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca lobuan kundër saj. Rezoluta u miratua pavarësisht se 27 shtete anëtare të NATO-s votuan kundër, ndërsa Holanda abstenoi.

Rezoluta parashikon mbajtjen e dy konferencave në mars dhe qershor të vitit 2017 për të nxjerrë një ligj detyrues që do të çojë drejt eliminimit të armëve bërthamore.

“Krijimi i një traktati mund të jetë një mënyrë për të stigmatizuar përdorimin dhe posedimin e armëve bërthamore, që përfundimisht mund të çojnë në denuklearizimin e vendeve”, deklaroi Beatrice Fihn, drejtoresha ekzekutive e fushatës joqeveritare ndërkombëtare për të shfuqizuar armët bërthamore.

Sipas saj qëllimi fillestar është shpallja e paligjshme e armëve bërthamore. Dokumenti u paraqit nga Austria, Brazili, Irlanda, Meksika, Nigeria dhe Afrika e Jugut.

Pas kësaj rezoluta duhet të miratohet nga një votim në Asamblenë e Përgjithshme.

Pin It