Ora që kthen krahun tuaj në një ekran me prekje

Kërkuesit e Future Interfaces Group në Universitetin Carnegie Mellon kanë zbuluar një teknologji që kthen lëkurën në një ndijor prekjeje.

“Pajisje të vogla që vishen-si orët inteligjente dhe bizhuteritë digjitale janë duke u bërë shumë shpejtë platforma kompjuterike të qëndrueshme… megjithatë, përmasat e vogla kufizojnë shumë eksperiencën e përdoruesit,” kanë shkruar kërkuesit.

Ky grup do të zgjidhë problemin e ekranit të vogël duke e zgjeruar atë në lëkurën tuaj. Pajisja e tyre, e quajtur Skintrack, ka dy komponentë: një unazë që çliron sinjal dhe një byzylyk ndijor. Ai përdor elektroda të vendosura në byzylyk për të gjurmuar lëvizjet në gishtin ku është vënë unaza.

Kur gishti prek lëkurën, ai dërgon një sinjal elektrik me frekuencë të lartë në krahun e përdoruesit. Pajisja përdor trupin njerëzor si një kanal elektrik. Kjo mund të duket disi e frikshme, por është e sigurt dhe përdoret tashmë në fusha të tjera si teknologjia mjekësore.

Ndërkohë që gishti lëviz në lëkurë, sistemi llogarit pozicionin e tij në bazë të distancës nga elektroda. Teknologjia punon edhe me një shtresë veshje.

Skintrack njeh të gjitha sinjalet e zakonshme të ekranit me prekje, duke përfshirë shtypjen, rrëshqitjen dhe gjeste speciale. Kërkuesit tregojnë se si duke vizatuar një “N” në dorë hapet një aplikacion lajmesh (News), ndërkohë që vizatimi i “S” vendos në ‘silent’ një thirrje hyrëse.

“Përpjekja jonë është kompakte, me kosto të ulët dhe me energji të ulët,” ka thënë grupi. “Ne parashikojmë që kjo teknologji do të integrohet në orët inteligjente të së ardhmes”.

Pin It