Për herë të parë në Shqipëri mbahet sot Asambleja Parlamentare për vendet e Mesdheut

a4820da5-f0a4-4008-9379-2abfca4183a1---0-

Është mbajtur paraditen e sotme në Tiranë, Asambleja Parlamentare për vendet e Mesdheut.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka ftuar përfaqësuesit e vendeve të ndryshme për një unifikim, me qëllim zgjidhjen bashkarisht të sfidave të fundit me të cilat po përballet rajoni i Mesdheut.

“Të ndërtojmë një platformë solide të bashkëpunimit mes vendeve të Mesdheut”, ka deklaruar Meta, i cili ka theksuar se, “menaxhimi i fluksit të refugjatëve tregon qartë se mungon një plan masash”.

“Të gjejmë një mekanizëm efikas për rritjen e dialogut mes vendeve të rajonit. Nuk mund të ketë një Evropë të sigurt pa një Mesdhe të sigurt e të zhvilluar”, ka thënë Meta.

Në të njëjtat linja është shprehur edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka nënvizuar se bashkëpunimi në mbarë Europën është vënë në provë pikërisht nga kriza e refugjatëve.

“Kriza e refugjatëve vjen si pasojë e ekstremizmit të dhunshëm. Qindra njerëz po humbin jetën”, ka thënë Rama, duke theksuar se, “këto kriza nuk mund të lihen mbi shpatullat e Greqisë, Italisë apo Turqisë”.

“Këto drama duhet t’i përballojmë së bashku. Përmes kësaj asambleje do të arrijmë t’u bëjmë ballë të gjitha betejave”, ka shtuar Rama.

Ndërsa presidenti i Asamblesë, Lhou Lmarbouh ka vlerësuar faktin që kjo mbledhje po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe ka premtuar angazhimin e tij për ecurinë e mëtejshme të këtij eventi.

“Së bashku të mbrojmë personat në nevojë nga vendet e tjera. Kemi besim tek bashkëpunimi juaj që asambleja të jetë sa më produktive”, ka thënë Lmarbouh.

Pin It