Përfaqësuesi i FMN: Nevojiten reforma që të fitohet besimi i investitorëve

31-07-2015-15-18-36

Investitorët ngurrojnë të investojnë në Shqipëri sepse ekziston një perceptim negativën për klimën e biznesit në vend. Për të ndryshuar këtë gjë duhet bëre reforma në drejtësi dhe duhet përmirësuar administrimi tatimor.

Kështu foli përfaqësuesi i FMN-së Jens Reinke në një intervistë për Ora News. Ai tha se janë bërë disa përmirësime në fushën e biznesit por perceptimi vijon të mbetet negativ.

“Unë inkurajoj administratën tatimore dhe qeverinë që të vazhdojnë reformat për të fituar besimin, në mënyrë që veprimet e tyre të jenë të parashikueshme dhe të drejta. Më lejoni të shtoj se askujt nuk i pëlqen që të paguajë taksa, por nëse procedurat janë të perceptuara sipas të drejtave të barabarta për të gjithë atëhere administrata tatimore do të shikohet me respekt dhe me besim”, tha Reinke.

Sipas tij reforma në drejtësi është me rëndësi për zhvillimin ekonomik, zbatimin e kontratave, çështjet e pronësisë e më gjerë.

“Në rast se reforma nuk do të miratohej, atëherë ky do të ishte një sinjal negativ për investitorët aktualë apo për investitorët potencialë që mund të mendojnë për të investuar në Shqipëri. Kështu që mendoj se këto do të kishin një ndikim të ndjeshëm në nivelin e investimeve”, u shpreh Reinke.

Pin It