Përurohet Qendra Kombëtare e Urgjencës

unnamed-6-13

Qendra Kombëtare e Urgjencës është tashmë gati për t’iu shërbyer qytetarëve të gjithë vendit. Shërbimi i ri i urgjencës do të bëjë koordinimin e urgjencave të çdo lloji nga i gjithë territori, duke mundësuar përgjigjen në kohë reale përmes një numri të vetëm telefonik pa pagesë.

Shërbimi i ri i qendërzuar dhe digjital zëvendëson sistemet e ndryshme të urgjencës dhe ofron shërbim të standardeve europiane. Sistemi i ri digjital do të jetë i lidhur me një ekran ku do të shfaqet harta e Shqipërisë dhe vendndodhja e çdo autoambulance, duke ndjekur në kohë reale lëvizjen e tyre. Një personel prej 90 specialistë dhe një flotë prej 140 autoambulancash do të jenë në shërbim çdo ditë, 24 orë.

Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në përurimin e qendrës, tha se sistemi i mëparshëm i urgjencave ka sjellë humbje të jetëve të njerëzve.

“Ky qendërzim e sjell shërbimin në kohë reale pranë qytetarit në nevojë. Garantohet një shpejtësi 10-15 minuta nga çdo pikë ku flota e urgjencës do të jetë e shpërndarë, në çdo pikë ku do të ketë nevojë për praninë e urgjencës. Do të kemi 140 autoambulanca dhe hartëzimi në territor do të mundësojë që t’i përgjigjemi në kohë reale qytetarëve. Brenda pranverës së ardhshme, Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore do të jetë plotësisht funksionale dhe i gjithë sistemi i dixhitalizuar për marrjen e thirrjeve pa pengesë përmes një numri unik dhe për dhënien e komandave në kohë reale, duke ndjekur në kohë reale gjithë lëvizjet e autoambulancave në territor, do të sjelli një ndryshim themelor në raportin e shtetit me qytetarin në këtë shërbim”, u shpreh kryeministri Rama.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, Skënder Brataj, tha se si rezultat i riorganizimit është arritur të kalohet nga një autoambulancë për 43 mijë banorë në një autoambulancë për 25 mijë banorë.

“Në sistemin e ri dixhital do të kemi një ekran ku do të kemi të gjithë hartën e Shqipërisë dhe në çdo moment vendndodhjen e çdo autoambulance duke ndjekur në kohë reale lëvizjen e tyre”, shpjegoi ministri Beqaj.

Pin It