Presidenti palëve politike: “Koordinohuni, ne ju mbështesim”

nishani-zyre

Presidenti i Republikës deklaroi se reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të jetë shprehje vullneti përmes retorikash. “Unë vazhdoj të besoj se, vullneti i shprehur i të gjithë aktorëve, posaçërisht atyre politikë, është serioz. Por ky vullnet, tashmë duhet të ketë një produkt. Duhet të prodhojë një mekanizëm, i cili duhet të nxjerrë jashtë sistemit njëherë e përgjithmonë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të paaftë, si dhe të shkallmojë nga themeli piramidën e administratorëve të korruptuar, të nëpunësve zhvatës të pasurive publike, që u zënë rrugën mundësive për zhvillim të shqiptarëve. Që ky mekanizëm të mund të jetë i tillë, duhet garantuar ndërtimi i tij tërësisht jashtë ndikimit dhe kapjes politike. Nëse ky proces nuk do ta prodhojë këtë mekanizëm, e ardhmja jonë do vazhdojë të mbetet peng i korrupsionit dhe krimit. Pas mendimeve tashmë të qarta të Komisionit të Venecias, përgjegjësia e vijimit të procesit mbetet te udhëheqësia politike në vend, që duhet të përcaktojë zyrtarisht piketat, ku duhet të kalojë ky proces pa devijuar. Ndaj i ftoj të gjithë ata, të ulen në një tryezë koordinimi, për t’i lënë më pas hapësirën ekspertëve, që ta jetësojnë vullnetin e tyre politik. Shpreh me këtë rast, gatishmërinë e institucionit të Presidentit të Republikës për të dhënë ndihmesën e nevojshme koordinuese mes palëve në këtë problematikë”, tha Presidenti Bujar Nishani.

Pin It