Bizneset dhe produktet shqiptare “Made in Albania” duhet të promovohen në panaire dhe ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, organizoi një takim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Bashkimin Kombëtar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë për të diskutuar në lidhje me mundësitë e promovimit të biznesit shqiptar.
Takimi synonte propozimin e panaireve kombëtare dhe ndërkombëtare, ku duhet të prezantohen produktet shqiptare. Një temë e rëndësishme e diskutuar gjatë takimit ishte edhe identifikimi dhe certifikimi i produkteve “Made in Albania”.
Sipas Ekonomit këto produkte duhet të arrijnë në tregjet, ku ka kërkesë dhe vlerësim ndaj tyre.
“Prodhimet e qumështit dhe nënproduktet e tij, janë ato produkte të cilat kanë nevojë për hapësirë, po ashtu edhe bimët medicinale, produktet e tekstilit dhe lëkurës, ICT-ja. Kemi tregjet e Azisë së Veriut, tregjet e lindjes së largët, të cilët kanë shprehur interes të vazhdueshëm për prodhimet shqiptare pasi ata kanë një ekonomi të hapur dhe duan shumëllojshmëri në treg”, nënvizoi ministrja Ekonomi.
AIDA propozoi 11 panaire ndërkombëtare për vitin 2017, të cilat janë të shpërndara në vende të ndryshme si në Holandë, Riva del Garda – Itali, Moscone Ctr, San Francisco, Biofaq – Gjermani, Foodex Japan në Tokio, Japoni, EXPO Wine Bordeaux 2017 – Francë, NINGBO – Kinë, The Micam 2017 – Macfrut, Vakantiebeurs (panairi i pushimeve) 2017 dhe Fancy Food 2017 në SHBA.
Në takim u vendos për hartimin e një plani veprimi të përbashkët mes MZHETTS dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, duke ngritur një grup pune të përbashkët me një kalendar të rregullt takimesh dhe realizimesh të produkteve informuese dhe trajnuese.