Raporti paraprak për akreditimin: Universitetet publike me kurrikula cilësore por mjedise të pamjaftueshme

 

fakulteti-filologjik-universiteti-i-tiranes1

Ekspertët shqiptarë dhe britanikë që po merren me procesin e vlerësimit për akreditimin e universiteteve shqiptare publikuan raportin paraprak për gjashtë universitetet e para të vëzhguara.

Sipas rektorit të Universitetit Politeknik, Andrea Maliqari, raporti përmban vlerësime pozitive për kurrikulat e universiteteve publike dhe rekomandime për mjediset e nevojshme.

“Mua më vjen shumë mirë që morëm një vlerësim pozitiv në lidhje me kurrikulat dhe për zhvillimin e procesit mësimor, por njëkohësisht na janë përcaktuar disa objektiva. Universitetet duhet patjetër të mbështeten me laboratorë, qoftë të karakterit mësimor, qoftë të karakterit shkencor. Përditësimi i këtyre laboratorëve në raport me teknologjitë e reja përbën një tjetër objektiv të rëndësishëm i përcaktuar nga ekspertet britanikë dhe shqiptarë”, tha rektori Maliqari.

Gjashtë universitetet e para që kanë hyrë në procesin e vlerësimit për akreditim janë katër universitetet publike Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe dy universitetet private Universiteti “Marin Barleti” dhe Universiteti Europian i Tiranës.

Pin It