Referimi i nënkryetarit të KMSH, z. Ali Zaimi gjatë konferencës në Parlamentin Europian

Ali 7

I nderuar zv. President i Parlamentit Europian

Të nderuar deputetë

Të respektuar të pranishëm!

Është një nder i veçantë për mua të jem këtu mes jush sot, prandaj më lejoni që në emër të KMSH të shpreh vlerësimin për këtë organizim të rëndësishëm mbi dialogun ndërfetar.

Në besimin tone, Zoti e krijoi gjithësinë si një manifest të dashurisë së Tij të pafundme, ndaj, mund të thuhet se dashuria është shkaku (dhe pikënisja) i ekzistencës së çdo gjëje.

Njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur mes tyre dhe jo për të treguar urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Këtë e thekson mjaft qartë Kur’ani që në fillim të shpalljes së tij:

“O njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli e një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri – tjetrin.”

Ndërsa në një tjetër verset në suren Nisa, shprehet: “Pajtimi është më i dobishmi.” (Nisa, 128)

Ne jemi të bindur dhe të vetëdijshëm se çdo besim fetar dialogun e ka në rrënjët e tij.

Harmonia, bashkëjetesa dhe respekti ekziston në shpirtin e çdo besimi fetar, dhe unë mendoj se shqiptarët e kanë kuptuar drejt këtë aspekt të fesë dhe ua kanë trashëguar brezave si një vlerë, tashmë të njësuar me vlerat kombëtare. Vetë shteti ynë, krahas sakrificave të shumëllojshme, është fryt edhe i kësaj bashkëjetese dhe harmonie ndërfetare. Sepse mes përfaqësuesve kryesorë që na dhuruan neve shtetin shqiptar, ishin edhe prijësit fetarë të besimeve të ndryshme, apo edhe intelektualët e kohës të brymosur me besimet tradicionale fetare.

Ne kemi trashëguar nga prijësit tanë fetarë, dashurinë për Zotin, dhe për njeriun, dhe respektin për çdo qenie humane, pavarësisht ndasive që mund t’i karakterizojnë ata, si edhe detyrimin fundamental që të jemi në komunikim të vazhdueshëm me besimtarët e feve të tjera.

Natyrisht që dialogu kërkon përpjekje dhe vullnet. E ndërkohë, modeli i shkëlqyer i harmonisë, tolerancës dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të vullnetit dhe të kulturës së shoqërisë shqiptare. Ai nuk ka pësuar ndryshime pavarësisht nga regjimet që kanë kaluar, izolimi i vendit, ndalimi i besimit apo hapja shumëplanëshe ndaj botës. Përkundrazi, ka qëndruar dhe është zhvilluar e forcuar duke u shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjen shqiptare.

Ne shqiptarët në përgjithesi, por myslimanët në veçanti i kemi treguar botës vlerat e bashkëjetesës dhe dashurisë ndaj tjetrit në periudhat më të errëta të historisë njerëzore, Myslimanet shqiptare, por edhe katolikët e orthodhoksët,  strehuan dhe u bënë mburojë per Hebrenjtë në kohën e persekutimit të madh ndaj tyre.

– Ne nuk i kemi strehuar ata vetem në sajë të vlerës kombëtare të “besës”, por ne krahas kesaj kemi ndjekur porosite e Profetit Muhamed a.s, i cili thotë se një nga tre elementët që e bëjnë një mysliman ta ndjejë ëmbëlsinë e besimit është që të ushqejë dashuri për njeriun, vetëm se është krijesë e Zotit.

Pikërisht besimi fetar, që i ka shpëtuar interpretimeve ideologjike, politike dhe margjinale, vë në plan të parë të marrëdhënieve ndërnjerëzore humanizmin tonë. Sepse përpara se të jemi të një feje të caktuar, të një kombi, të një rrace, apo identiteti tjetër ne jemi njerëz që Zoti na ka krijuar të ndryshëm për t’u njohur me njëri–tjetrin e jo për t’u urryer e përcarë.

– Ne myslimanët shqiptarë jemi në frymë dhe veprim pro vlerave më pozitive të demokracisë perëndimore dhe këtë e provojmë me bashkëjetesën vëllazërore me komunitetet e tjera fetare që në vendin tone janë minoranca në këtë rast, por ne, me vetëdije dhe si pjesë organike e besimit tonë, asnjëherë nuk jemi sjellë përballë tyre si shumicë.
– Ne jemi europianë, nuk e shohim Europen si “tjetri” asnjëherë, por e shohim si “ne” dhe si popull shqiptar e mbështesim fuqishëm, pa rezerva integrimin në BE. (kuptohet politika duhet të punojë pak më tepër për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit që të na mundësojë të bëhemi pjesë e BE-së.

Besimi fetar në vetvete, qoftë ai islam, kristian apo tjetër, përtej instrumentalizimit dhe keqinterpretimeve, është burim i normave dhe vlerave më të shkëlqyera të bashkëjetesës njerëzore në çdo nivel.

Për shembull, në aspektin e tij më themelor, Islami personifikohet me frazën më të përdorur të të gjithë Kuranit: Bismi’lahi Rrahmani Rrahim – “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Zoti e shfaq vetveten nëpërmjet Mëshirës dhe Dhembshurisë së Tij Absolute dhe Islami është themeluar mbi bazën e këtij pohimi.

I tillë është thelbi i çdo besimi tradicional fetar që është trashëguar ndër ne shqiptarët, por si përfaqësues i komunitetit mysliman duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj po i referohem vetëm Kur’anit

Urdhërimi në dialog është në përputhje të plotë edhe me urdhrat e Zotit që përmes shumë të dërguarve të tij, Ai përforcoi vlerën e dialogut. Rasti i Musait (a.s) dhe Harunit a.s ku Zoti i orientoi ata të flisnin me fjalë të buta edhe me një diktator siç ishte Faraoni, tregon rëndësinë që i jep feja dialogut për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve.

Të nderuar miq!

Si një mysliman, me keqardhje unë mund të them që Islami ka qenë fe e keqkuptuar dhe për këtë përgjithësisht përgjegjësinë e kemi ne myslimanët. Sepse shpesh herë myslimanët kanë rënë pre e interpretimeve të fesë për interesa politike e ideologjike dhe rrjedhimisht kanë qenë të mbyllur ndaj dialogut dhe ndonjëherë përjashtues ndaj kulturave të tjera. Shumë dështime të tyre myslimanët nuk i kanë kërkuar tek totalitarizmi dhe mungesa e demokracisë dhe nivelit arsimor në vend, por janë shtyrë të arsyetojnë problemet e mëdha me teori konspirative sikur gjithë bota është bashkuar kundër myslimanëve.

Në shqipëri, në këtë drejtim ne kemi qenë me fat, sepse kemi pasur mundësinë të jetojmë pranë njëri-tjetrit si pjesëtarë të besimeve të ndryshme dhe kemi pasur mundësinë të njihemi e të bashkëjetojmë. Por gjithashtu komunitetet fetare tradicionale kanë punuar fort që fenë të mos e përdorur për cështje politike e ideologjike dhe njëkohësisht njerëzit e politikës nuk e kanë përdorur politikën për cështje fetare, e në këtë mënyrë të barazafruar ndaj të gjithë besimeve fetare është mundësuar një bashkëjetesë fetare e kulturore, si produkt i vazhdueshëm i kontributit të të gjithë aktorëve dhe faktorëve në vend.

– Une jam sot ketu para jush si perfaqesues i nje komuniteti te madh nga nje vend i vogël, jam këtu për të dëshmuar se vendet e BE dhe mbarë bota mund të gjejë tek vendi im një shembull të gjallë të bashkëjetesës dhe dialogut midis feve.

– Shembujt e bashkëjetesës dhe dialogut janë të shumtë në shumë vende, por ajo që e bën të veçantë dhe për t’u marrë shembull vendin tim mendoj une, është se, bashkëjetesa jonë fillon që në familje, në fqinjësi dhe shtrihet në të gjithë shoqërinë më pas.

– Ndonëse sfidat tona janë të mëdha, ato nuk janë të jashtëzakonshme – sidomos nëse i krahason me sfidat e njerëzimit në të shkuarën, por ne duhet të shfrytëzojmë historinë si një mjet për të vlerësuar disa prej avantazheve tanë të të tashmes, të cilët është shumë e lehtë të të shpëtojnë nga gabimet e së shkuarës e sigurisht edhe të së tashmes.

– Une besoj se “leva e arkimedit” për një botë më demokratike  dhe të paqtë është DIALOGU, mirkuptimi dhe gjetja e të përbashkëtave midis të ndryshmeve.

Të mos keqkuptohemi, Shqipëria nuk është një parajsë që nuk ka asnjë problem. Varfëria dhe konsolidimi i demokracisë ngelen ndër çështjet më të mëdha për tu zgjidhur.

Ndërkohë unë gjej rastin që të kërkoj edhe njëherë prej jush një mbështetje më të madhe që vendi im të integrohet sa më parë në familjen e madhe europiane.

Unë besoj se integrimi i shqipërisë me shumicë myslimane të popullsisë, do të shërbejë si një shembull i mirë për integrimin e myslimanëve që jetojnë në Europë. (sepse po ta vlerësonim në bazë të veprimeve,  ju si vende të BE jeni shumë më myslimane se shumë prej myslimanëve, një pjesë prej të cilëve u ka mbetur veç emri dhe identiteti, por jo parimet).

Faleminderit!

Pin It