Rivlerësohen pronat, shmanget pagesa 15% në rastet e shitblerjes

146851789414716_APARTAMENTET_19_7

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili iu mundëson individëve dhe bizneseve të rivlerësojnë apartamentet apo çdo pasuri të paluajtshme në zotërim, me vlerën e tregut, kundrejt një pagese simbolike.

Vendimi iu jep të drejtën qytetarëve që të pajtojnë një ekspert të licencuar për të bërë rivlerësimin. Pasi të përfundojë ky proces, qytetarët do të kenë të drejtë ta regjistrojnë pronën në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, duke paguar një tatim prej 2 për qind mbi diferencën mes vlerës së re dhe asaj të mëparshme të pasurisë.

Për shembull, nëse një apartament figuron i regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në vlerën 50 mijë euro, por aktualisht vlen 70 mijë euro, atëherë qytetari do paguajë një tatim 2 për qind mbi diferencën prej 20 mijë euro. Pra 400 euro tatim.

Por, cili është përfitimi i qytetarit nga ky rivlerësim? Sipas ligjeve në fuqi, për çdo pasuri që shitet, indvidët apo biznesi paguajnë një tatim sa 15 për qind të diferencës mes çmimit me të cilin e shesin dhe atij me të cilin e ka blerë.

Kjo do të thotë se i njëjti qytetar, nëse nuk do ta rivlerësojë pronën për të përfituar nga lehtësia që i jep ligji, nëse do e shesë atë do të duhet të paguajë një tatim 15 për qind mbi diferencën prej 20 mijë eurosh, ose 3 mijë euro. Pra rreth 8 herë më shumë nga sa do të paguante nëse do të kishte bërë rivlerësimin.

E njëjta formulë do të vlejë edhe për pasuritë e paluajtshme të biznesit, vetëm se për sipërmarrjen, tatimi do të jetë 3 për qind, dhe jo 2 për qind sa për individët.

Vendimi ka fuqi deri në datën 31 dhjetor të këtij viti dhe, sipas qeverisë, është një lehtësim i madh për familjet dhe biznesin.

Pin It