Rritet cilësia e ujërave në plazhet shqiptare

Cilësia e plazheve shqiptare këtë vit është rritur në pjesën më të madhe të vijës bregdetare. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) publikoi të dhënat e fazës së parë të monitorimit të 99 pikave përgjatë bregdetit shqiptar.

Kreu i AKM, Julian Beqiri, tha se plazhet shqiptare vazhdojnë të kenë trend rritjeje të cilësisë. “Mbi 90% e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A pra cilësi shumë e mirë këtë vit. Nga 99 pika monitorimi, 90 prej tyre me cilësi shumë të mirë,” – tha Beqiri.

Sipas raportit të kësaj agjencie cilësia e ujërave është shumë e mirë në 90 pika në qytete të ndryshme si në Durrës, Divjakë, Velipojë, Shëngjin, Gjiri i lalzit, Dhërmi, Himarë, Qeparo, Ksamil, Borsh, Zvërnec, Golem, Spille, Qerret, Tale, Seman.

“Kemi përmirësim shumë të mirë të ujit në 20 pika në plazhin e Durrësit, kjo falë vënies së funksion të impiantit të ujërave të zeza”, – tha Beqiri duke veçuar Durrësin mes të tjerëve.

Ndërsa në tre pika të ndryshme përkatësisht në Plazhin e Vlorës, Sarandës dhe Durrësit ka probleme me cilësinë e ujit dhe për këtë kreu i AKM-së kërkoi ndërhyrjen e pushtetit vendor.

AKM do të vijojë kontrollin e cilësisë së plazheve edhe me dy faza të tjera për të nxjerrë rezultatin përfundimtar për vitin 2016. Ndërkohë krahasuar me vitin 2014, cilësia e ujërave në plazhet shqiptare është rritur me 50%.

Pin It