Samiti i Diasporës, Kumbaro: Njerëzit e kulturës i kanë shërbyer vendit më shumë se politika

cxe1calwqaasghn

Samiti i Diasporës mbajti të shtunën paradite panelin me temë “Kultura, hapësira jonë e përbashkët pa kufi. Arti dhe kultura, pasaporta jonë” në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Artistë dhe përfaqësues të artit e kulturës shqiptare jashtë vendit diskutuan rreth rolit të kulturës dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore kombëtare për ta përcjelë atë tek brezat e ardhshëm.

Nasi Jani, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, në Greqi, vlerësoi nismën e Samitit të Diasporës, duke e cilësuar kulturën si institucionin më të pafajshëm. Rexhep Hoti, zëvendësministër i Kulturës në Kosovë e konsideroi diasporën investimin më të madh kapital.

Ndërsa ministrja Mirela Kumbaro tha se pasuritë kulturore të vendit kanë nevojë të mbrohen dhe vlerësohen më shumë. Sipas saj shërbimin më të madh Shqipërisë ia kanë bërë njerëzit e kulturës dhe jo politika. Kumbaro tha se ajo çfarë nuk kemi humbur asnjëherë, është kultura dhe identiteti kulturor shqiptar që sa vjen e pasurohet.

Duke siguruar për financimin e disa projekteve të diasporës nga qeveria shqiptare, Kumbaro tha se shumë shpejt do të kalojë në parlament ligji “Për trashëgiminë kulturore”. Ajo ftoi shoqatat shqiptare të artistëve në emigracion që të bashkëpunojnë me qeverinë.

Dita e Parë e punimeve te Samitit të Diasporës nisi të shtunën me 4 panele që u zhvilluan paralelisht nga ora 9.00-10.45 në Muzeun Historik, Galerinë e Arteve, Teatrin Kombetar dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 

Pin It