“Sfidat e shqipes sot”, bën bashkë studiues të gjuhës e përkthyes

Gjuha shqipe brenda dhe jashtë kufijve dhe sfidat e qenësishme me të cilat përballet ajo, ishte në fokus të takimit të  djeshëm që u zhvillua nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje në Kryeministri.

Tema e tryezës “Sfidat e shqipes sot”, bëri bashkë studiues të gjuhës dhe kërkues shkencorë nga të gjitha katedrat e gjuhës së universiteteve shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni si dhe përkthyes të mirënjohur.

Më konkretisht, takimi u fokusua në sfidat e gjuhës në realitetin global, teknologjik, virtual e shumë sfera të tjera.

Tryeza e përbashkët e moderuar nga Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtar i mirënjohur me kontribute disavjeçare në sociolinguistikë, vuri në dukje se sot më shumë se kurrë duhen ruajtur vlerat e shqipes.

”Sot me tepër se kurrë është koha ta njohim gjuhën shqipe, ta duam, ta vlerësojmë, po mbi të gjitha ta mësojmë e ta ruajmë me aq sa është e mundshme nga ndikimet e trysnisë që vijnë nga rrafshimet europianizuese dhe globalizuese. Një tjetër tipar i rëndësishëm që i përket gjuhës së sotme shqipe është përdorimi i saj në të gjitha fushat e ekonomisë”, tha Shkurtaj.

”Me përdorimin në masë të mjeteve digjitale, trysnia për t’a ruajtur gjuhën shqipe nga trysnia e këtyre mjeteve bëhet më e vështirë. Ky përdorim po çon drejt zhdukjes së librave duke i zëvendësuar me këto pajisje digjitale. Ne duhet të kërkojmë nga prodhuesit e kompjuterave, siç janë emërtimet e barnave shqip, dhe programet të jenë shqip në platformat digjitale. Kjo bën të mundur që gjuha shqipe mos të jetë vetëm përbashkuese por një mjet që e bën hapësirën shqiptare një treg solid për tregtimin e produkteve në gjuhën shqipe”, u shpreh ai.

Shkurtaj tha gjithashtu se,”në planin relativ për gjuhën shqipe duhet të ishte treguar më shumë vëmendje dhe kujdes e përkushtim për mbrojtjen e saj nga fjalët e huaja dhe nga shkeljet e rënda të rregullave të drejtshkrimit e të normave gramatikore.

“Ka shumë gabime në të folurin e të shkruarin e gjuhës shqipe, të gabosh është normale, por të mos bësh asnjë përpjekje për t’i shmangur gabimet është e pafalshme”, theksoi ai.

”Rendja drejt fjalëve të huaja dhe në shkolla është një tjetër problem, por ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje dhe më përkushtim që fakultetet filologjike të jenë si balli i luftës për ruajtjen dhe pastrimin e gjuhës shqipe. Në këtë proces të vështirë duhet të marrin pjesë e të veprojnë jo vetëm gjuhëtarë, por të gjithë mësuesit e pedagogët në përgjithësi”, tha profesori gjatë takimit.

“Gjithashtu, ai tha se, problem madhor në të shkruar është mosrespektimi i alfabetit shqip duke marrë të mirëqenë germën ë si e, e kjo vihet re në shumë shkrime të revistave e gazetave e ky problem na çon shpeshherë ta shohim veten si minoritarë, ose të huaj. Gjithashtu ka gabime të shtrembërimeve trashanike të fjalëve si ngatërrimi i gjinisë së fjalëve dhe sidomos moslakimi i emrave të përveçëm.

Pjesë e panelit të diskutimeve ishin edhe studiues të gjuhës nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora dhe Gjirokastra, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, që sollën përvojën e tyre të drejtpërdrejtë në punën me studentët apo kërkimin shkencor, profesorë të Universiteteve të Prishtinës e Prizrenit, Institutit Albanologjik dhe Universiteteve të Shkupit e Tetovës.

Ata diskutuan për problematikat e të folurit dhe të shkruarit e gjuhës shqipe në institucionet të cilët ata drejtonin dhe në përfundim të takimit u dhanë dhe rekomandimet konkrete nga ana e ekspertëve lidhur me çështjen e gjuhës shqipe. /ATA/

Pin It