Shkodër – Prezantohen stampa origjinale në ekspozitën e Marubit

“Nga negativi tek pozitivi, nga procesi i fotografimit tek memoria që mbart secila fotografi që i ka mbijetuar kohërave”.

Këtë mision mori mbi supe të zbulojë ekspozita “Marubi Celebrates the Originals”, kuruar nga Rudolf Schäfer, që solli në muzeun kombëtar të fotografisë, stampa origjinale të Studios Marubi, vlera të papërsëritshme që na ndihmojnë të përballemi me amnezinë që mungesa e tyre ka prodhuar gjatë periudhave të ndryshme.

Luçjan Bedeni, drejtor i muzeut “Marubi”: Ky vit i parë i punës ka qenë për ne një hulumtim i përditshëm për t’u njohur më mirë me pasurinë e fondit arkivor.  

Sipas kuratorit, të flasësh për origjinalin në kontekstin e fotografisë ngjall gjithmonë shumë diskutime, ndërkohë që stampat origjinale të fotografëve të famshëm janë gjithmonë punime dore.

Rudolf Schäfer, murator: Gjatë përgatitjes se ekspozitës me ka shqetësuar kryesisht nje fakt: nga Marubi kemi trashëguar në ditët tona qindra mijëra negativë. Ata sot ruhen, hulumtohen me profesionalizëm, ndonëse një pjesë e tyre janë negativë prej xhami shumë të brishta.

Po pse është kaq e vështire të gjenden stampat origjinale? Punime të tilla sot janë të rralla dhe konsiderohen të një mjeshtërie të lartë meqë gabimet teknike rregulloheshin nga fotografët me teknikat e tyre të përpunimit të imazhit për arsye artistike.

Pjesa më e madhe e fotografive të kësaj ekspozite janë kopjet e fundit ekzistuese të një negativi të ruajtur në Muzeun Marubi. Koleksioni familjar, ai i kartolinave dhe i familjes Kamsi në ekspozitën e Fiera del Levante 1932 janë pjesë e kësaj ekspozite./ORA/

Pin It