Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

“Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare”, deklaroi të martën drejtori i sapoemëruar i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro prezantoi të martën para stafit dhe medias, Erzen Shkolollin, i cili do të jetë drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kumbaro e nisi prezantimin me falënderimet në radhë të parë ndaj Artan Shabanit, drejtorin e deridjeshëm të këtij institucioni, që mbylli një mandat të plotë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Duke iu drejtuar drejtorit të ri të sapoemëruar, Kumbaro tha se “do të jemi bashkë për të realizuar projektin e rehabilitimit të GKA-së, puna për të cilën ka nisur me termat e referencës, si dhe konsultimet për të shkuar drejt një konkursi ndërkombëtar për rehabilitimin fizik të GKA, njësoj si edhe të MHK”.

“Është një nder i veçantë për mua të emërohem për të drejtuar Galerinë Kombëtare të Shqipërisë, në këto momente kur skena artistike dhe arti shqiptar, Shqipëria vetë po merr kahje të jashtëzakonshme në skenën artistike ndërkombëtare. Mendoj që vizioni im për të ardhmen e Galerisë Kombëtare do ta shtyjë skenën artistike të ketë këtë hov në skenën ndërkombëtare, asnjëherë pa i harruar talentet vendore. Kjo është qasja dhe mënyra sesi do të frymojë Galeria Kombëtare”, tha ai.

Në Shqipëri emri i tij është i njohur nga bienalja botërore Dokumenta 14, që këtë vit u zhvillua në Kasel të Gjermanisë dhe në Athinë. Si këshilltar i bienales, shqiptari nga Kosova, prezantoi më së miri artin modern ne një eveniment ndërkombëtare. Shkololli zëvendëson prej kësaj të marte Artan Shabanin që për katër vite drejtoi këtë institucion. Shkololli e merr këtë detyrë pas drejtimit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Kosovë. Nën drejtimin e tij skena artistike e Kosovës, e izoluar për disa vite, depërtoi përtej kufijve ndërsa kritikët e vlerësojnë edhe për transformimin e plotë të Galerisë ne Prishtine./ATA/

Pin It