“Tjetërsim” , Galeria Kombëtare çel dyert për Arben Golemin

Tjetërsim” e ka titulluar piktori Arben Golemi ekspozitën më të fundit të tij që do ta çelë nga data 2 deri në 23 Qershor në Galerinë Kombëtare të Arteve. Vetë drejtuesit e galerisë e konsiderojnë këtë ekspozitë si projekt për hapjen e sezonit turistik.

Ekspozita e Arben Golemit përmban punë të autorit në harkun kohor 2005­2017. Kuratori i ekspozitës Ylli Drishti deklaron se ka përzgjedhur rreth 67 punime të autorit në teknikën mikse, duke i dhënë publikut një panoramë të rrugës krijuese të Golemit gjatë këtyre viteve.

Drishti thotë se “ekspozita përmban katër cikle kryesore; Berati, New York, Baroque dhe Pylli. Këto cikle piktorike përbëhen nga tablo unikale të cilat nuk përsërisin njëra-tjetrën, përkundrazi na sjellin një larmi kompozicionale dhe një fuqi koloristike të papritur”. Sipas Drishtit kjo është ekspozita e katërt vetjake e autorit në Galerinë Kombëtare, “por veçanërisht kjo përzgjedhje, evokon pjekurinë artistike të autorit, përmes një koloriti dekorativ shpërthyes dhe një “kodi unik artistik”, thotë ai. Arben Golemi konsiderohet si një nga piktorët e njohur të artit modern shqiptar. Me krijimtarinë ai është gjithmonë kërkues të formave dhe shprehjeve të reja artistike.

Piktura e tij theu mentalitetin artistik ekzistues të artit realist mbizotërues, ndërsa Golemi u bë një nga protagonistët kryesorë të asaj që mund të quhet “piktura moderne shqiptare e fundit të shekullit XX”. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij u prezantua në shumë veprimtari ndërkombëtare, ekspozita personale e kolektive. “Tjetërsim” do të ekspozohet në sallën kryesore të ekspozitave në Galerinë Kombëtare.

Pin It