​“ABAGRAPHY”, Abaz Hado sjell në GKA ekspozitën vetjake

abaz-hado

Artisti Abaz Hado sjell për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën vetjake me titull “ABAGRAPHY:. Kjo ekspozitë e piktorit grafik Hado, vjen me një karakter kronologjik, organizuar sipas cikleve dhe periudhave krijuese të artistit. Kuratorja turke znj. Beste Gursu ka përzgjedhur 140 punime grafike për t’i dhënë publikut një panoramë të plotë të rrugës së tij krijuese.

Punimet grafike të Hados janë kryesisht monokrome të realizuara në linoleum, një teknikë të cilën ai vazhdon ta përdorë edhe aktualisht. Në punimet e tij grafike ndjehet fuqishëm ekspresiviteti dhe lëvizja. Ai trajton tema sociale dhe aktuale, ku në qendër të tablove qëndron figura dhe jeta e njeriut shqiptar. Ai preferon të realizojë kompozime shumëfigurëshe të cilat i organizon sipas një “kodi” të caktuar. Kështu në disa nga punimet e tij grafike vëmëndjen kryesore ai ja kushton figurave të planit parë, ku edhe sfondi mbetet pjesë e fuqishme e kompozimit, ndërsa në  punime të tjera Hado preferon të evidentojë vetëm figurat kryesore.

Hado është një artist shumëdimensional: Piktor, grafist, studjues dhe menazher arti. Ai lindi në Shijak në 1957. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë për Pikturë Monumentale dhe u specializua si kritik arti. Punimet e artistit Hado ndodhen në GKA, Tiranë dhe në mjaft koleksione private në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani, Greqi, Angli.

 

Pin It