Shpërndahen Kartat e Inspektorit, shkelja e sigurisë ushqimore është vepër penale

unnamed (2)

Shkelja e sigurisë ushqimore do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet si e tillë. Kështu deklaroi ministri Edmond Panarit gjatë ceremonisë së shpërndarjes së Kartave të Inspektorit, trupës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Sipas Panaritit duhen marrë masa të forta për garantimin e sigurisë ushqimore prandaj “inspektorët e AKU-së, në momentin e konstatimit të produkteve ushqimore jashtë standardit, duhet të bëjnë menjëherë bllokimin e tyre, siç vepron dhe policia me vendngjarjet kriminale, duke i rrethuar me shirita”.

Ditën e sotme Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë pajisur me kartat e inspektorit, të cilat sigurojnë paprekshmërinë e tyre nga presioni i subjekteve apo i individëve.

Panariti tha se AKU do të mbajë përgjegjësi ligjore për rezultatet e analizave që zhvillon në subjektet e ndryshme.

“Inspektorët duhet të punojnë me ndershmëri dhe siç janë subjektet të detyruara me ligj të garantojnë sigurinë ushqimore ‘Nga Ferma në Tavolinë’, pra në të gjithë zinxhirin, edhe inspektorët janë të detyruar po me ligj të ushtrojnë detyrën e tyre. Edhe analizat e mostrave në laboratore duhet të shkojnë në mënyrë rigoroze dhe të paidentifikuara, pra pa e deklaruar subjektin ku janë marrë, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit”, tha Ministri i Bujqësisë.

Ndërsa, Kryeinspektori i Inspektoriatit Qendror, Shkëlqim Hajdari, theksoi se, “kryerja e inspektimit në prani të biznesit, online, është një sfidë që inspektorët e AKU do ta bëjnë nga sot e tutje”.

“Siç tha edhe Ministri Panariti, cënimi i sigurisë ushqimore është çështje dhe rrezik kombëtar. Ndaj, iu bëj thirrje kompanive importuese dhe prodhuese, që të zbrazin magazinat nëse ato kanë produkte që rrezikojnë konsumatorët, përpara se të fillojë tërmeti jonë për sigurinë ushqimore”, tha Hajdari.

Pin It