Shqipëria dhe Kosova prezantojnë veshjet kombëtare në Tokio

 

 

Veshjet tradicionale të Shqipërisë së Mesme dhe Kosovës po ekspozohen në muzeun e veshjeve në Tokio, Japoni. Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio në bashkëpunim me njëra-tjetrën bënë të mundur promovimin e vlerave dhe kulturës shqiptare.

Aktiviteti u organizua në kuadër të promovimit të vendeve të Europës Juglindore në muzeun e veshjeve “Bunka Gakuen Costume Museum”, në Tokio dhe pati vizitorë të shumtë.

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së RSH-së në Tokio, Armand Shandro dhe E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës Rudina Bukoshi e vlerësuan ekspozitën si një mundësi shumë të mirë për t’i njohur vizitorët me vlerat etnografike shqiptare.  Ata iu shpjeguan të pranishmëve elementët përbërës dhe unikalitetin e veshjeve tradicionale, të cilat do të vijojnë të prezantohen çdo vit në të njëjtën periudhë.

Shandro dhe Bukoshi falenderuan drejtuesit e muzeut për bashkëpunimin. Ky muze vizitohet nga rreth 35 mijë vizitorë në vit.

Pin It