“Shqipëria pa armë”, Tahiri kërkon mbështetjen e komuniteteve fetare për “çarmatosjen e mendjeve nga dhuna”

tahiri

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi mbështetjen e komuniteteve fetare në vend për realizimin me sukses të fushatës “Shqipëria pa armë”.

Gjatë një takimi të zhvilluar ditën e hënë me përfaqësues të komuniteteve fetare në Shkodër Tahiri kërkoi mbështetjen e tyre në këtë proces të rëndësishëm për sigurinë në vend.

Ai tha se komunitetet fetare kanë një rol të rëndësishëm në çarmatosjen e mendjes dhe shpirtit nga dhuna.

“Komunitetet fetare kanë një rol themelor në çarmatosjen e mendjes dhe shpirtit, dhe kjo është beteja më e madhe dhe më e vyer jo kundër hekurishteve, por kundër mentalitetit, jo kundër armëve si objekte, por kundër ndjesisë së dhunës, dhe kjo është ndër betejat që ne duhet të fitojmë”, u shpreh Tahiri në Shkodër.

Ministri tha se armatosja e vendit në vitin 1997 ishte rrjedhojë e tretjes së një sistemi vlerash shoqërore, të cilat mund të ringrihen me ndihmën e komuniteteve fetare gjithashtu.

“Më shumë se sa nga një armë e varrosur diku në oborr apo e fshehur diku në shtëpi, ne duhet të fillojmë të çarmatosim mendjen dhe shpirtin nga dhuna, represioni dhe e keqja” deklaroi Tahiri.

Pin It