Arsimi parauniversitar do të fillojë nga puna në datën 9 janar. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosën për shtyrjen e afatit të hapjes së shkollave dhe kopshteve pas pushimeve të fundvitit, duke u bazuar tek temperaturat e ulëta dhe përhapja e gripit.
Hapja e shkollave në një situatë të tillë do të favorizonte përhapjen e virusit të gripit dhe gjendja mund të shkojë dretj përkeqësimit.
Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministria e Shëndetësisë, në bazë të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016 (“Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”), sipas udhëzimeve kombëtare, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik, ka urdhëruar sot më datë 03.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017.
Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar një listë me masat e mëposhtme për parandalimin, kufizimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive nga përhapja e virusit të gripit:
Masa të higjienës dhe kontrollit të infeksioneve
– Mbulimi i gojës dhe hundës me shami (mundësisht letre) gjatë kollitjes dhe teshtitjes e cila të hidhet menjëherë në koshin e mbeturinave.
– Të teshtitet apo kollitet duke përdorur gropëzën e bërrylit si mburojë.
– Të mos pështyhet në tokë.
– Larja e menjëhershme, dhe sa më shpesh, e duarve me ujë të rrjedhshëm dhe sapun. ose pastrimi i tyre ato me alkool apo dezinfektantë.
– Mënjanimi i prekjes së syve, hundës dhe gojës.
– Përdorimi i maskave gjatë kollitjes apo teshtitjes, apo në mjedise të mbyllura ku ka grumbullim masiv të njerëzve për një kohë të gjatë.
Masa të distancimit social
– Mënjanimi i kontaktit të ngushtë me njerëzit të cilët janë të sëmurë, pra çdo i sëmurë duhet të mbajë distancë nga të tjerët për ti mbrojtur ata.
– Qëndrimi në shtëpi për çdo të sëmurë.
– Njëkohësisht, në këtë sezon gripi, duhe të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë takimet dhe grumbullimet.
Vaksinimi
– Mjeti më i mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi.
– Ministria e Shëndetësisë pas rekomandimeve të grupit të ekspertëve dhe ISHP po kryen falas vaksinimin e punonjësve shëndetësorë si grup i rëndësishëm risku.
– Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP kanë siguruar 93 250 doza vaksinë kundër gripit, të parakualifikuar nga OBSH.
– Kjo vaksinë po shpërndahet në të gjitha DRSH/DSHP-të sipas një plani të përgatitur nga ISHP dhe më pas shpërndahet në qendrat shëndetësore dhe aplikohet falas për të gjithë personat, kryesisht si më poshtë:
– Persona të moshuar mbi 60 vjeç;
– Persona që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare;
– Persona që vuajnë nga diabeti;
– Persona që vuajnë nga sëmundje obstruktive të aparatit respirator;
– Persona që vuajnë nga astma bronkiale;
– Persona me sëmundje kronike të veshkave, apo sëmundje kronike të tjera (hepatike etj.);
– Persona me sëmundje tumorale;
– Persona obezë;
– Gra shtatëzëna;
– Personel shëndetësor.
– ISHP rekomandon vaksinimin gjatë të gjithë këtij sezoni të gripit, për të mbrojtur çdo person nga gripi dhe për të parandaluar format e rënda të gripit sidomos tek personat e sipërpërmendur.
Masa të tjera të kujdesit shëndetësor
– ISHP rekomandon trajtimin me medikamente antivirale për gripin me rekomandimin e mjekut, kryesisht në mjediset spitalore, pasi këto medikamente lehtësojnë shenjat e gripit, kufizojnë kohën e sëmundjes me 1 ose 2 ditë, dhe parandalojnë komplikacionet e gripit si pneumonitë, sidomos në personat që bëjnë pjesë në grupet e përmendura më lart.
– ISHP rekomandon trajtimin simptomatik të gripit sipas rekomandimeve të mjekut.
– Të mos neglizhohet asnjë shenjë e gripit por sidomos vështirësia në frymëmarje e cila kërkon oksigjenim dhe kujdes shëndetësor të menjëhershëm so dhe të funksionojë menjehere sistemi i referimit për kujdes spitalor sipas nevojës.
– Gjatë këtij sezoni të gripit përpiquni të menaxhoni stresin, konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe sidomos ushqime të shëndetshme dhe përpiquni të jeni fizikisht aktivë.