Stili i Kur’anit

Kurani përmban tregime të shumta (kisas), të cilat mund t’i ndajmë në tre grupe:
1- Historitë e profetëve të Zotit: popujt ku u dërguan, mesazhi i tyre, thirrja e tyre, persekutimi që kanë pësuar etj. Të tilla janë p.sh. historitë e Nuhut (surja 26), Musait (surja 28), Isait (surja 19) etj;
2- Tregime që flasin për popuj dhe ngjarje të kaluara, p.sh. tregimi i Shokëve të shpellës apo ai i Dhul Karnejnit (surja 8);
3- Referenca për ngjarjet që ndodhnin gjatë jetës së Profetit Muhamed (a.s.), si beteja e Bedrit (surja 3/ajeti 13), beteja e Uhudit (surja 13/ajeti 121-128), beteja e Ahzabëve (kundër koalicionit të idhujtarëve) (surja 33/ajeti 9-27), udhëtimi i Isras dhe Miraxhit (udhëtimi i Profetit a.s. brenda një nate nga Meka në Jeruzalem dhe prej andej deri sipër qiellit të shtatë) (surja 17/ajeti 1) etj.

Kurani përdor gjithashtu krahasime dhe shembuj (emthal) në shumë vende, me qëllim që të shpjegojë disa të vërteta apo që të theksojë disa pika të mesazhit, duke i krahasuar me gjëra të njohura për marrësit e Shpalljes Hyjnore apo duke i përshkruar në formë imazhesh: “Ai lëshon shiun nga qielli, prandaj rrjedhin lumenjtë me masë… Kështu, Allahu jep shembullin e së vërtetës dhe të pavërtetës… (surja 13/ajeti 17).

Mëse 2000 vargje në Kuran fillojnë me fjalët “kul” (thuaj). Kjo bëhet në mënyrë që Profeti Muhamed (a.s.) t’ia drejtojë fjalët që vijojnë auditorit të tij në një situatë të posaçme, siç është rasti për t’iu përgjigjur një pyetjeje që i është bërë apo për të rregulluar një çështje ligjore, si p.sh.: – Thuaj: “…Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (surja 9/ajeti 51)
– Thuaj: “A të marr mbrojtës tjetër, përveç Allahut, krijuesit të qiejve dhe Tokës? Ai e ushqen (botën), ndërsa Vetë nuk ushqehet”… (surja 6/ajeti 14)

Në vende të ndryshëm, Kurani përdor shprehje ose fraza të tëra betimesh (kasem, shumës aksâm). Këto betime shërbejnë për të mbështetur një argument apo për të hequr dyshimet nga mendja e dëgjuesve/lexuesve. Herë herë Zoti betohet mbi Veten e Vet dhe herë herë mbi krijesat e veta p.sh.:

– Për Diellin dhe shkëlqimin e tij dhe për Hënën që e përcjell atë! Për ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (diellit) dhe për natën kur e mbulon atë! Për qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar! Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar! Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur…” (surja 91/ajeti 1-7)

Burimi: Hasan I. Nahi, “Kurani i Madhërishëm“, shtëpia botuese: MILENIUM I RI, Tiranë 2006, fq. 31-32.

Pin It