Studimi, tumoret mund të shkaktohen nga infeksionet

 

mjekesi

Një studim i Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimet rreth Kancerit (IARC) ka zbuluar se infeksionet janë shkaktare të tumorit tek një në gjashtë njerëz të diagnostikuar me këtë sëmundje.

Kërkuesit e IARC, me qendër në Lion të Francës dhe pjesë e organizatës botërore të shëndetësisë, kanë gjetur se katër agjentë infektivë (Papilloma virus, Helicobacter pylori e dhe viruset B e C) janë shkaku i rreth 2 milionë tumoreve nga 12.7 milionë persona të diagnostikuar me këtë sëmundje brenda një viti.

Sipas drejtuesve të kërkimit, Catherine de Martel dhe Martyn Plummer, “infeksionet e shkaktuara nga disa lloj virusesh, bakteresh dhe parazitësh janë një ndër shkaqet kryesore dhe më të parashikueshme të tumoreve”.

Shkencëtarët theksojnë se shumë raste të kancerit mund të evitohen përmes terapive ekzistuese dhe se numri i të prekurve në vendet e pazhvilluara është dukshëm më i madh se sa në vendet e zhvilluara.

Mundësia që një infeksion të çojë në krijimin e një tumori është tri herë më e madhe  (22.9%) në vendet më pak të zhvilluara krahasuar me vendet më të zhvilluara (7.4%).

Sipas studimit rreth një e treta e rasteve janë persona nën 50 vjeç. Tumori më i përhapur te grate është tumori në qafën e mitrës, i cili përfaqëson thuajse gjysmën e rasteve, ndërsa te meshkujt tumori i stomakut dhe ai i mëlçisë arrijnë në 80%.

Aplikimi i terapive të njohura për parandalimin dhe kurën e infeksioneve mund të ketë një efekt thelbësor mbi impaktin e tumoreve në të gjithë botën. Për Papilloma virus apo HPV (agjenti kryesor i tumorit në qafën e mitrës) ekziston një vaksinë që u bëhet falas vajzave mes moshës 11-12-vjeçare. Një tjetër vaksinë është në gjendje të parandalojë infeksionet e HBV, virusi përgjegjës për Hepatitin B, i pranuar nga komuniteti shkencor si shkaku më i shpeshtë i tumorit të mëlçisë. Ndërkaq, sipas ekspertëve, do të ishte e mundur të evitoheshin një pjesë e madhe e formave të neoplazive gastrike, duke luftuar infeksionin  shkaktuar nga Helicobacter pylori me kombinime ilaçesh me bazë antibiotikësh.

Goodarz Danari, i Harvard School of Public Medicine në Boston, ka komentuar rezultatet e studimit të IARC duke mbështetur se duke parë efikasitetin dhe koston e vaksinave kundër HBV apo HPV prioriteti, sidomos në vendet në zhvillim do të ishte ajo e vaksinimit të një numri sa më të madh të popullsisë.

 

 

Pin It