Teknologji: Zbulohet kaska që ‘skanon’ trurin

Një kaskë që skanon trurin jep mundësi për të bërë analiza që deri dje ishin të pamundura. Është ky zbulimi i një kërkimi nga Universiteti Anglez i Nottingham-it, i publikuar në revistë Nature.

Pajisja është në gjendje të analizojë fushën magnetike të gjeneruar nga neuronet edhe kur pacientët, përfshirë fëmijët, janë në lëvizje. Sipas shkencëtarëve, studimi hap kufinj të rinj për të diagnostikuar sëmundjet që shkatërrojnë neuronet siç është përshembull sëmundja e parkinsonit.

 Objektivi i studimit është të gjejë mekanizma që i japin mundësi neuroneve “të flasin” midis tyre edhe kur ne lëvizim.

Deri tani aparaturat e imazherisë cerebrale ishin shumë të rënda dhe e detyronin pacientin të rrinte i palëvizur gjatë analizës.

Kaska e re peshon pak dhe mund të mbahet edhe gjatë aktivitetit fizik të çdo lloji, përfshirë edhe në gjumë.

Teknologjia e fundit, e lindur në bashkëpunim me institutin britanik dhe atë amerikan, jep mundësi të analizohen persona që nuk mund të rrinë pa lëvizur, si të sëmurët me parkison dhe epilepsi.

“Tani mund të analizojmë gjëra që nuk i kemi studiuar dot më parë. Deri tani ekzistonin kufje relativisht komode për të matur aktivitetin elektrik të trurit, por jo magnetike”, tha profesor Gareth Barnes nga University College London, i cili ka punuar në këtë projekt.

“Kjo kaskë mund të vendoset në sipërfaqen e kokës, kështu që ne mund t’i sjellim më pranë trurit dhe kjo rrit sasinë e sinjalit që marrim. Ajo gjithashtu është shumë më e lehtë, që do të thotë që njerëzit mund të lëvizin kokën e tyre ndërsa skanohen”, tha Matthew Brookes, profesor i asociuar në Universitetin e Nottingham-it.

Pin It