Tërmete të forta në Italinë Qendrore, 38 të vdekur, mijëra njerëz në nevojë për ndihmë

25Italyquake-SS-HP-slide-T489-videoSixteenByNineJumbo1600-v2

Disa tërmete të forta të njëpasnjëshme goditën Italinë Qendrore në orët e para të ditës së mërkurë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 38 përsonave dhe plagosjen e qindra të tjerëve.

Tërmeti i parë ishte me magnitudë 6.2 ballë i shkallës Rihter dhe më i forti i rreth 40 lëkundjeve të ndodhura brenda tre orëve në zonën përreth qytetit Amatrice dhe Accumoli. Qytetet ndodhen në verilindje të zones së Lazio-s, jo shumë larg Romës, prandaj lëkundjet u ndjenë edhe në Romë, Bolonjë, Emilia-Romana dhe shumë qytete të vogla përreth.

Kryebashkiaku i Amatrice, Sergio Pirozzi, tha se gjysma e qytetit pothuajse është zhdukur, përfshirë këtu edhe qendrën historike, ndërsa numri i të lënduarve është ende i papërcaktueshëm.

“Puna më e vështirë është shpëtimi i atyre që ndodhen nën rrënoja”, – tha Pirozzi.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambsada Shqiptare në Itali shprehën ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe shtetin Italian dhe njoftuan se midis viktimave nuk është identifikuar asnjë shqiptar. Gjithashtu Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë ka vënë në shërbim një numër telefoni për emergjencat për të gjithë shqiptarët që ndodhen në zonën e prekur nga tërmeti.

“Numri i kontaktit operativ është +39 3420498192. Çdo qytetar shqiptar që ka nevojë të kontaktojë Ambasadën, mund të telefonojë në këtë numër, i cili qëndron në funksion 24 orë në ditë”, – thuhet në njoftimin e ambasadës.

Skuadrat e shpëtimit, ambulancat, vullnetarët e ndryshëm vrapojnë në ndihmë të njerëzve që qëndrojnë në rrënojat e atyre ndërtesave që ishin dikur shtëpitë e tyre. Mjekët u kthyen nga pushimet dhe të gjithë ndodhen në shërbim, ndërsa bëjnë thirrje për ndihmë të çdo lloji.

“Ne kemi nevojë për zinxhirë, për gërshërë për të prerë shufrat e hekurit, për pajisje për të tërhequr trarët e betonit”, – tha për “The Associated Press” Andrea Gentili, një punonjës i mbrojtjes civile. “Ne kemi nevojë për çdo lloj gjëje, çdo gjë.”

1501

 

Pin It