TIF prezanton filmat pjesëmarrës në edicionin e 14-të

tirana

Festivali “Tirana International Film Festival” do të mbahet prej 3 deri më 11 Nëntor 2016.

Drejtuesit e këtij Festivali në Tiranë kanë publikuar filmat shqiptare që janë përzgjedhur për të marr pjesë në kete edicion. Nga Shqipëria janë përzgjedhur në konkurrencë zyrtare 11 filma, nga Kosova 10, ndërsa regjisorët shqiptarë nga Maqedonia prezantohen me vetëm dy filma, bëhet e ditur në bazë të listës së publikuar nga Bashkëthemeluesi dhe drejtori i festivalit, Agron Domi.

Ky edicion, i 14-i me radhë shënoi një numër rekord prej 1400 aplikimesh nga 120 vende të botës të cilët kanë pasur mundësinë të aplikojnë online në përjashtim të filmave shqiptarë.

Të gjithë filmat që do të shfaqen në TIFF 2016 janë premiera kombëtare e disa prej tyre edhe premiera rajonale, europiane e botërore.

Sivjet për herë të parë do të organizohet në Tiranë TIFForum në bashkëpunim me Torino Film Lab, një aktivitet rajonal për të nxitur prodhimin kinematografik në Shqipëri dhe bashkëprodhimet në rajon. Janë përzgjedhur 8 projekte filmike nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi që do t’i nënshtrohen ekspertizës së doktorëve të njohur në Europë që ka sugjeruar Torino Film Lab dhe distributorëve të pranishëm, që do të bëjnë të mundur realizimin me sukses të këtyre projekteve rajonale.

Shtatë juri ndërkombëtare të formuara nga regjisorë, skenaristë, producentë, distributorë, kritikë filmi, gazetarë, midis tyre edhe Visar Morina, Jamie Donoghue, Naser Shatrolli do të vlerësojnë 160 filma në konkurrim për çmimet.

Pin It