Trump edhe në rolin e “arbitrit”, nxjerr kartonin e kuq

Presidenti amerikan Donald Trump u nxori kartonin e kuq medieve të pranishme, pas takimit me kreun e FIFA-s, Gianni Infantino, në Shtëpinë e Bardhë.

Infantino ishte i ftuar special në Uashington, aty ku kreu i trupës qeverisëse të futbollit botëror dhe Trumpi diskutuan për Kupën e Botës të vitit 2026, që do të bashkorganizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.

Infantino kishte ardhur me dhurata në kryeqendrën e SHBA të martën, teksa 48-vjeçari i dhuroi një fanellë, sikurse edhe kartonët e verdhë e të kuq, mes shumë sendeve të tjera.

Bosi i FIFA-s tha mes të qeshurave se Trump mundet të përdorë kartonët gjatë takimeve të ardhshme me mediet.

“Edhe një gjë – u shpreh Infantino. – Ju e dini, në futboll ne kemi edhe arbitra apo jo? Ata kanë edhe kartonët, të verdhin dhe të kuqin. I verdhi është për paralajmërim, e kur do të përjashtosh dikë… (tregon kartonin e kuq), ndaj mund të jetë e dobishme në të ardhmen, nuk e di”.

“Po, është shumë mirë. Më pëlqen”, u kundërpërgjigj Trump, i cili menjëherë guxoi t’i nxirrte kartonin e kuq të mbledhurve në sallën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Kupa e Botës do të rikthehet në SHBA për herë të parë që prej vitit 1994.

“Futbolli ka bërë një rrugë kaq të gjatë. Dua të falënderoj Gianni Infantinon që ishte këtu, ai është president i FIFA-s dhe një njeri shumë i respektuar. Futbolli duhet të jetë një nga sportet me rritjen më të shpejtë në botë, ndaj puna që keni bërë ju është fantastike, Gianni”, u shpreh Trump.

Pin It