Të gjithë qytetarët që kanë një apartament me kontratë nuk do të paguajnë për borxhet e ndërtuesve të tyre. Nëse ndërtuesi është debitor Shërbimi Përmbarimor nuk mund të sekuestrojë asnjë apartament me kontratë sipërmarrje, porosie ose me premtim shitje.
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se udhëzimi i ri synon të mbrojë interesat dhe të drejtat e qytetarëve.
“Shërbimi Përmbarimor privat ose publik nuk mund të sekuestrojë apartamentin e askujt që e ka ende me kontratë sipërmarrje, porosie ose me premtim shitje. Ka vetëm një kusht, që personi duhet të tregojë që ka shlyer këstet e pagesës, qoftë dhe një të vetëm. Me rëndësi të ketë një kontratë, të banojë në shtëpi. Shërbimi Përmbarimor nuk mund të sekuestrojë këtë banesë, ky është udhëzimi im i nxjerrë sot, që do t’u bëhet me dije të gjithë përmbaruesve. Kjo është një mbrojtje që ne po u japim këtyre qytetarëve që kanë harxhuar paratë e tyre për të blerë një banesë dhe ne duhet t’ua sigurojmë. Udhëzimi im mbron djersën e qytetarëve, por kurrsesi nuk është qëllimi të mbrojnë ata që nuk shlyejnë detyrimet”- deklaroi ministri Manjani.
Manjani porositi qytetarët që për çdo blerje të pasurive të paluajtshme, t’i drejtohen vetëm zyrave të noterit, pasi shteti nuk mban përgjegjësi për blerjet e bëra jashtë këtyre zyrave.