UNHCR jep alarmin, aktualisht ka mbi 65 milionë refugjatë në botë

hashash-droge-gomone

Agjencia e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara(UNCHR) ka dhënë alarmin se në botë aktualisht ka mbi 65 milionë persona, të cilët janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre, si pasojë e luftërave dhe konflikteve të dhunshme. Sipas UNCHR-së, gjysma e këtyre refugjatëve janë nga Siria, Afganistani dhe Somalia, dhe po zhvendosen në mbarë botën si pasojë e luftërave e konflikteve. Agjencia e Refugjatëve informon se numri i të shpërngulurve për këto arsye, ku përfshihen refugjatë, azilkërkues e persona që kanë lëvizur brenda kufijve të vendit të tyre, është më i madhi i regjistruar ndonjëherë dhe shënon një rritje me 5 milionë vetë brenda një viti. Një shifër e tillë nënkupton 1 në 113 njerëz të planetit. “Fatkeqësisht, numri i njerëzve të shpërngulur vitin e kaluar është rritur me 10%. Tani janë 65 milionë të zhvendosur. Dy të tretat janë njerëz që kanë lëvizur brenda vendit, një e treta janë refugjatë, 90% e të cilëve vijnë nga shtete me mirëqenie mesatare apo të varfra, dhe 50% e këtij grupi janë fëmijë”, tha Filippo Grandi, komisioner i lartë i OKB-së për refugjatët. Një tjetër shqetësim për Grandin përbën klima e ksenofobisë së krijuar në Europë pas vështirësive, në të cilat e zhyti kriza e emigrantëve kontinentin e vjetër. Fluksi i njerëzve, më i madhi që prej Luftës së Dytë Botërore, ka çuar në një rritje të ndjeshme të mbështetjes për grupet e ekstremit të djathtë dhe të politikave të debatueshme antiemigracion. OKB-ja thekson se është hera e parë që numri i refugjatëve nëpër botë ka kaluar nivelin e 60 milionëshit. Ekspertët ndërkombëtarë mendojnë se deri tani, zgjidhjet e këtij ngërçi kanë qenë të paplota, sepse përpjekjet nuk po përqendrohen te zgjidhja e vërtetë, ajo e shkaqeve të arratisë. Për aq kohë sa në Siri vazhdon të luftohet, njerëzit do të përpiqen në vijimësi të largohen prej andej, e nuk ka për t’i penguar asnjë tel me gjemba. Ndërkohë OKB-ja njoftoi se vazhdon që të dërgojë ndihma në lagjet e rrethuara nga forcat e regjimit në rajonin Guta Lindore të Damaskut. Në këtë zonë u çuan 50 automjete me ndihma që janë mjaftueshme për 25 mijë persona për 1 muaj. Gjithashtu, nëpërmjet Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë u çuan materiale pastruese, furnizime mjekësore dhe produkte ushqimore në lagjet Hamuriye, Haza, Beyt Suva dhe Ayn Terma. Një tjetër shqetësim për OKB-në është edhe situata në qytetin e Falluxhas në Irak, ku autoritetet po ballafaqohen me katastrofë humanitare. Edhe anëtarët e organizatës po përballen me një fluks masiv të civilëve, të cilët po e braktisin qytetin, ndërsa forcat qeveritare po e shtrijnë kontrollin aty dhe po largojnë terroristët e Shtetit Islamik. Bruno Geddo, i dërguar i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) në Irak, tha se grupet ndërkombëtare humanitare kanë vështirësi të mëdha t’i përgjigjen situatës, e cila po përparon shpejt. Në ditët e fundit, OKB-ja informoi se 10 mijë familje u larguan nga Falluxha, për të ikur nga lufta e ashpër. Sipas informacioneve, 84 mijë civilë u larguan nga Falluxha dhe hapësirat përreth, prej muajit maj, kur filluan operacionet, që synojnë rimarrjen e kontrollit të qytetit. Bruno Geddo shtoi se një valë tjetër e refugjatëve pritet gjatë ditëve të ardhshme, duke qenë se mijëra civilë janë të bllokuar nga beteja që po zhvillohet brenda qytetit irakian.

Pin It