Veliaj me homologun e Prishtinës: Sheshi skëndërbej do përfaqësoj të gjithë shqiptarët

Erion-Velijaj

Një ditë më parë kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bëri të ditur se shumë shpejtë do të nisin punimet në sheshin Skënderbej, ndërsa sot gjatë një takimi me homologun e tij të Prishtinës Shpend Ahmeti bëri të ditur disa detaje në lidhje me pamjen e re të këtij sheshi. Në takimin që Veliaj pati me Shpend Ahmetin, ai tha se sheshit “Skënderbej” do të ketë në thelb përfaqësimin e të gjithë shqiptarëve. Sipas Veliajt pllakat dhe gurët për sheshin do të porositen në Kosovë dhe bimët në viset e tjera shqiptare.

“Më vjen mirë që i prezantova Shpendit planet tona për Sheshin “Skënderbej”. Për pak kohë nuk do të kemi këtë trafik që kemi në sfond, por do të kemi një shesh që do të përfaqësojë unitetin tonë kombëtar. Kam filluar në mënyrë informale të bëj porositë për pllakat dhe gurët që vijnë nga Kosova. Por edhe pemët që vijnë nga viset shqiptare jashtë Shqipërisë”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë Veliaj vlerësoi punën e homologut të tij në Prishtinë

“Është kënaqësi e veçantë të shoh shokun tim të vjetër dhe të gëzohem suksesit të tij në Prishtinë. Jemi optimistë që Prishtina po shkon në drejtimin e duhur. Pavarësisht se çfarë shkon në politikën e madhe janë kryetarët e bashkive ata që përballen në vijën e parë me shqetësimet e qytetarëve dhe prodhimin e zgjidhjeve konkrete”, tha ai.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Prishtinës, Ahmeti, tha se dy qytetet mund të punojnë së bashku për thithjen e fondeve të Bashkimit Evropian.

“Ne jemi në fazën kyçe të reformës në trafikun urban, për parkingjet, gjelbërim etj. Ne i kemi provuar disa reforma, Tirana i ka provuar disa reforma dhe kemi çfarë të shkëmbejmë. Ne kemi diskutuar edhe për shkollat si po ndërtohet një numër më i madh shkollash. Ne po na ofrohen edhe qytete të tjera si për shembull vjen Lubjana dhe na thotë a bashkëpunojmë të përfitojmë fonde evropiane bashkë. Në të njëjtën kohë kur ne mund të bashkëpunojmë me Tiranë dhe mund të bashkëpunojmë për aplikacione smart për të dyja qytetet që nuk do të na kushtonin shumë. Kuvendet komunale duhet të bashkëpunojnë për ta bërë mirë punën. Unë jam sot i gëzuar që edhe këshilli bashkiak e priti delegacionin tonë”,  u shpreh kryebashkiaku i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Nga selia e Bashkisë së Tiranës, dy krye bashkiakët vunë theksin për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre. Veliaj përmendi veçanërisht krijimin e rrjetit të kryetarëve të bashkive në të gjitha trojet shqiptare.

Pin It