Bashkia e Tiranës planifikon pajisjen e transportit urban me sistem elektronik të biletës. Kjo nismë mendohet të bëhet realitet brenda vitit për të gjithë linjat e transportit brenda Tiranës.
Vendimi u bë i ditur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili tha se brenda vitit qytetarët e Tiranës do të pajisen me biletë elektronike për transportin urban.
Sipas tij kjo nismë është e nevojshme për t’iu dhënë fund abuzimeve të kompanive private të transportit publik.
Më herët shoqëritë e transportit janë gjobitur nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit për mosrespektimin e orareve ose mungesën e kushteve gjatë udhëtimit në këto ditë të nxehta, duke mos ndezur kondicionerët kur temperaturat shënonin 39 gradë celcius.