100 prona me qira për biznesin, Ekonomi: Sistemi online rrit transparencën

milva

Shqipëria ka tashmë një sistem të ri online në ndihmë të të gjithë atyre që duan të investojnë në vendin tonë. Në regjistrin e ri ndodhen aktualisht 100 prona, objekte dhe toka, të cilat janë në dispozicion për t’iu dhënë me qira bizneseve te ndryshme.

Këto prona ndodhen në qytete të ndryshme dhe janë të publikuara që prej datës 18 tetor 2016 në faqen e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe mundë të aksesohen në linkun http://aida.gov.al/pronat/qytete.

“Ky është një proces transparent dhe një tjetër mundësi për të investuar në Shqipëri për biznesin vendas dhe atë të huaj,” tha ministrja Milva Ekonomi.

Sipas saj kjo faqe lidh investitorët me pronarët duke nxitur sipërmarrjen private dhe zhvillimin ekonomik. Ministrja tha se faqja do të përditësohet me të dhëna të reja në mënyrë të vazhdueshme.

“Do të shtohet me të gjitha pronat që, siç dihet, janë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, por dhe që shkojnë tek AIDA nga pronarë privatë, do të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme. Kur prona humbet statusin, nëse është kthyer në një status zhvillimor, do të dalë dhe në faqe që statusi i saj është një status tashmë jo më konkurrent”, tha Ekonomi.

Pin It