Gripi i shpendëve, MB takim me bizneset e pularive

mixed-duck-flock-1665353_1280

Ministria e Bujqësisë mblodhi industrialistët e rritjes së pulave në vend në një takim të posaçëm për marrjen e masave ndaj gripit të shpendëve që është shfaqur së fundmi në Europë.

Zv.Ministri Roni Telegrafi tha se vendi ynë është i rrezikuar për shkak të shpendëve shtegtarë, prandaj  duhen marrë masa urgjente për parandalimin e virusit dhe përhapjes së tij. Ndërsa Drejtori i Shërbimit Veterinar, Edi Fero, iu drejtua fermerëve me kërkesën për të garantuar biosigurinë.

Fero tha se si fillim është bllokuar importi i shpendëve, të gjallë apo të therur, nga të gjitha vendet e prekura.

“Ajo çfarë është pozitive, është fakti që, ky virus nuk është i panjohur për ju, por është hera e dytë që vjen, ndryshe nga sëmundja e gjedhit (LSD) e cila u shfaq për herë të parë. Pra, ju të gjithë i dini masat që duhet të merrni, por në këtë situatë, duhet të dhjetëfishoni gatishmërinë e punën tuaj për parandalimin e saj dhe të përhapjes, pasi e godet fort sektorin tuaj. Kjo na godet edhe ne si ministri, por konsumatori shqiptar, me punën e të gjithë ne, nuk duhet të preket në asnjë mënyrë. Ndaj duhen shumëfishuar, në mënyrë urgjente, masat për biosigurinë”, theksoi Fero.

Nga ana e tyre sipërmarrësit garantuan angazhimin maksimal që në asnjë rast të mos cenohet konsumatori.

Pin It