A kanë fëmijët nevojë për vitamina?

Të ushqyerit shëndetshëm është domosdoshmëri për një organizëm të shëndetshëm dhe një sistem imunitar të fortë. Këto dhe arsye të tjera si këto bëjnë që kujdesi për shëndetin dhe të ushqyerit shëndetshëm të jetë ndër parimet tona jetësore, sidomos për ata që janë në procesin e zhvillimit fizik, fëmijët.

Shpeshherë na sugjerohet që fëmijëve, përveç ushqimeve të shëndetshme t’i japim edhe vitamina. Por a janë vitaminat të nevojshme nëse fëmija ushqehet shëndetshëm?

Si rregull, preferohet që fëmijët dhe adoleshentet t’i marrin të gjithë lendet ushqyese nëpërmjet ushqimit të freskët, të ekuilibruar dhe të larmishëm. Studimet tregojnë se marrja e lëndëve ushqyese në forme të veçuar nëpërmjet një suplementi nuk ka të njëjtin efekt sikurse të marra nga ushqimet pasi, në ushqime, vitaminat dhe mineralet vijnë në kombinime të atilla ku njeri ndihmon tjetrin, pra në një forme bashkëpunuese, e cila në gjuhën shkencore quhet “sinergji”.
Gjithsesi, shkenca tregon se fëmijët midis moshës 6 muaj dhe 5 vjeç mund të përfitojnë nga konsumi me pika i vitaminave A, C dhe D, si dhe hekurit, veçanërisht nëse ushqimi i tyre nuk është i larmishëm. Vitamina D sintetizohet në organizmin tonë nëpërmjet ekspozimit te drejtpërdrejte të lëkurës në rreze dielli. Kur fëmijët rriten në ambiente të mbyllura dhe nuk dalin çdo ditë në diell, nuk konsumojnë ushqime të pasura në vitaminë D (peshq te kaltër, qumësht dhe veze), është e nevojshme të plotësojnë nevojat ditore nëpërmjet suplementeve përkatës.

Burimi: blerinadiet.al

 

Pin It