Eksportet bien me 7.8% për janar-qershor 2016

makine_llogaritese-stilolaps_0

Eksportet janë pakësuar me 7.8% gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, duke shkuar nga 127.4 miliardë lekë në 117.6 miliardë lekë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se kjo ulje është ndikuar veçanërisht nga rënia e eksportit të grupit të “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike”.  Sipas aktorëve të tregut nafta shqiptare nuk preferohet në tregun e huaj për shkak të cilësisë së dobët. Po ashtu edhe ndërprerja e punës nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i këtij grupi, ka ndikuar në rënien e ndjeshme të eksporteve.

Rënie kanë pësuar edhe grupi i “Materialeve të ndërtimit dhe metaleve”, eksportet e të cilave ranë me 26%, duke reflektuar rënien e kompanisë së çelikut, Kurum. Këto dy grupe mbajnë edhe peshën më të madhe të eksporteve, por momentalisht po kalojnë një periudhë të vështirë.

Ndërsa eksportet e grupit të “tekstileve dhe këpucëve”u rritën me 22.7% për këtë 6-mujor duke u bërë për momentin grupi më i madh i eksporteve në vend, me 45% të totalit. Aktorët e tregut pohojnë se ndonëse kërkesa nga partnerët italianë është e madhe, rritja e kostove (nga taksat dhe energjia) po i bën ata jo konkurrues.

Ndërsa për muajin qershor në veçanti eksportet ranë me 6.4%. Në muajin Qershor 2016, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Kosova me 36,2 %, Maqedonia me 9,9 % dhe Spanja me 80,3 %.

Pin It