Aguliçja e vogël me vlera të mëdha kuruese

Aguliçja është një barishte e vogël, e cila çel lule në ngjyrë të verdhë, dhe në mjekësinë shqiptare popullore njihet si lulja gjashtëgishta. Lulet, rrënjët dhe ndonjëherë edhe gjethet përdoren gjerësisht në mjekësinë popullore. Aguliçja ka vlera të shumta ushqyese dhe kuruese.

Vlerat ushqyese të aguliçes

Aguliçja përdoret e freskët, por edhe e tharë. Lulet dhe gjethet janë të pasura me betakaroten dhe vitaminë C, që janë antioksidantë të fortë të cilët e ndihmojnë organizmin në mënyra të ndryshme, duke forcuar sistemin imunitar. Ato ulin nivelet e kolesterolit, e si rrjedhojë përmirësojnë shëndetin e zemrës. Lulet dhe gjethet e aguliçes janë të pasura me kalium, kalcium, natrium, dhe janë të dobishme në trajtimin e kollës.

Vlerat shëndetësore dhe përdorimet terapeutike të aguliçes

Gjethet e aguliçes përdoren në përgatitjen e çajrave qetësues kundër pagjumësisë. Çaji i luleve është më efikas dhe ka tendencën të qetësojë fëmijët hiperaktivë dhe t’i vendosë ata në gjumë. Edhe rrënjët luajnë një rol të ngjashëm, por ato janë më efikase kundër kollës, të ftohtit, virozave dhe gripit. Në Evropë po kryhen studime për rolin e rrënjëve të aguliçes kundër azmës dhe alergjive, dridhjeve, epilepsive dhe sëmundjes së Parkinsonit.

Në ditët e sotme, lulja e aguliçes përdoret nga ekspertët për të bërë locione për pastrimin e lëkurës dhe tonik kundër akneve apo njollave të lëkurës. Vlerat e aguliçes janë të përkryera për hapjen e poreve dhe pastrimit të lëkurës. Shumë receta popullore e kanë përdorur aguliçen për të parandaluar mpiksjen e gjakut dhe sëmundjet reumatizmale, por edhe kundër infeksioneve të traktit urinar dhe problemeve me veshkat.

Rrënjët mund të zihen dhe lëngu të konsumohet i ftohtë. Ky lëng i bën mirë zemrës dhe sistemit qarkullues të gjakut. Me lulet e aguliçes mund të përgatisni edhe një shurup, të cilit mund t’i shtoni mjaltë dhe ta përdorni në rastet e problemeve me frymëmarrjen si azma apo kolla.

Çaji i aguliçes është përdorur si një kurë mjekësore kundër pagjumësisë. Mjaftojnë 50 mg aguliçe, 25 mg lule livando dhe 10 mg Lulebasani. Një lugë çaji me këto lule e përzier në çerek litri me ujë duhet zier për tre minuta. Duhet konsumuar sa është akoma e nxehtë.

Kujdes! Aguliçja përmban nivele të larta të acidit salicilik dhe nuk rekomandohet të përdoret nga njerëzit që kanë alergji nga aspirina, femrat shtatzënë ose njerëzit që përdorin medikamente kundër mpiksjes së gjakut. Megjtihatë nënat lehonë mund ta përdorin, sepse aguliçja stimulon qumështin e gjirit.

/AgroWeb/

Pin It