Amsterdam, takimi për “të shpëtuar” zonën Shengen

565a0a4bc46188b0358b462d

Rrezikun që i kanoset zonës së lëvizjes së lirë e pohoi hapur presidenti i BE-së, Donald Tusk kur tha se, po nuk u arrit të përvijohet qartë një strategji kundër fluksit të emigrantëve, marsi mund të sjellë kolapsin e projektit 20-vjeçar europian.

“Që të arrijmë të ruajmë dhe garantojmë në vazhdimësi lëvizjen pa pasaporta brenda zonës së Schengenit është e kuptueshme se do të na duhet t’i menaxhojmë më mirë kufijtë tanë të jashtëm”, deklaroi komisioneri europian i Emigracionit, Dimitris Avramopoulos.

Takimin e Amstërdamit e kërkoi Holanda, kryesuese e radhës e presidencës së BE-së. Qëllimi i nismës është përcjellja e mbështetjes për një trupë panevropiane, e cila të ruajë kufijtë dhe bregdetin e bllokut.

Shpresat janë që në këtë mënyrë, të arrijë të ulet presioni në kufijtë e jashtëm komunitarë. Në diskutim do të jenë gjithashtu edhe mundësitë dhe rrugët për të intensifikuar bashkëpunimin mes shërbimeve të fshehta.

Kjo del si nevojë krahas masave të tjera për të luftuar terrorizmin, pas atentateve të nëntorit në Paris, të cilat u morën jetën 130 vetëve dhe ku u plagosën qindra të tjerë.

Ministrat do të shohin edhe mundësinë e përdorimit të Nenit 26 të Kodit të Kufijve të Schengenit, i cili i lejon shteteve anëtare që t’i zgjasin kontrollet në kufi përtej limitit të 30 ditëve.

Ky takim është i pari i këtij lloji në Presidencën gjashtëmujore holandeze të BE-së, e cila ka si synim të arrijë deri në datën 30 qershor një marrëveshje për një forcë të re kufitare në kufijtë tokësorë dhe detarë të Bashkimit Europian.

Pin It