Autoritetet japoneze mirëpresin vizitën e presidentit Obama në Hiroshima

obama

Vizita e presidentit amerikan Barak Obama në Hiroshima është pozitive për autoritetet japoneze. Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe shpreson që kjo vizitë të ketë një ndikim në çështjen kundër armëve bërthamore.

“Besoj se duke vizituar Hiroshimën, ku mund të shikohet realiteti i ekspozimit ndaj rrezatimit, duke shprehur opinionet e tij nga aty, presidenti Obama do t’i japë një shtysë të madhe ndërtimit të një bote pa armë bërthamore”, tha Abe.

Po kështu shpresojnë edhe qytetarët japonezë të mbijetuar nga bombardimi i Hiroshimës. “Shpresoj që duke parë realitetin, presidenti do të kuptojë atë që armët bërthamore janë në gjendje të bëjnë”, shprehet një i mbijetuar 88-vjeçar.

Më herët Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Obama do të vizitojë Hiroshimën më 27 maj. “Vizita e tij në Hiroshima nxjerr në pah vendosmërinë e vazhdueshme të presidentit Obama për paqen dhe sigurinë në një botë pa armë bërthamore”, deklaroi Shtëpia e Bardhë. Por kjo nuk nënkupton rishikim të vendimeve të dikurshme të SHBA dhe nuk duhet parë si një mënyrë për të kërkuar ndjesë, kanë theksuar të njëjtat burime.

Obama do të jetë presidenti i parë amerikan që do të vizitojë qytetin e bombarduar me bombë atomike nga SHBA në 6 gusht 1945.

 

Pin It