Obama nxit rivalët: Hiqni dorë nga Donald Trump

1476255927obama

Presidenti amerikan Barak Obama nxiti republikanët veteranë që të tërheqin formalisht mbështetjen e tyre për Donald Trump si kandidat presidencial. Gjatë një mitingu në favor të Hilari Klintonit, Obama tha se nuk ka kuptim që të dënosh komentet e Trump, por ta mbështesësh atë në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Shumë republikanë janë distancuar nga Trump pas publikimit të një videoje ku dëgjohet miliarderi njujorkez të bëjë komente ofenduese për femrat. Gjatë fushatës në Karolinën e Veriut, Obama hodhi dyshime se si ende ka veteranë mes republikanëve që mbështesin kandidatin Trump.

“Kemi shumë njerëz që thonë se nuk janë dakord dhe se nuk pranojnë fjalët e tij, por ende e mbështesin. Ata mendojnë se ai duhet të jetë president dhe kjo nuk ka kuptim për mua”, deklaroi Obama.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se komentet e fundit për femrat e skualifikojnë Trumpin edhe nga punët më të thjeshta e jo më nga posti i presidentit. Obama tha se nuk duhet të jesh baba apo bashkëshort që të kuptosh se fjalët e tij nuk janë të drejta, mjafton që të jesh një njeri i mirë. Ai gjithashtu shtoi se në zgjedhjet e nëntorit, amerikanët kanë mundësinë të zgjedhin mes një personi të kualifikuar si Hilari Klinton dhe një njeriu si Trump që nuk ka temperamentin, gjykimin apo njohuritë për të drejtuar SHBA, madje nuk shfaq as dëshirën për t’i fituar këto veti.

Pin It