BE akordon 700 milionë euro për krizën e refugjatëve

133036029

700 milionë euro është shuma fillestare që Bashkimi Europian do t’iu akordojë të gjitha vendeve europiane që përballen me fluks të madh të klandestinëve. Sigurisht që në këtë rast vëmendje të madhe merr Greqia, në brigjet e së cilët arrijnë çdo ditë qindra mijëra refugjatë që vijnë nga Turqia.

Teksa vendet e tjera europiane kanë mbyllur kufijtë, qeveria e Athinës ka kërkuar ndihmë për strehimin e mijëra njerëzve që kanë mbetur të bllokuar në kufijtë e saj. Nëse miratohet, Komisioni Europian ka propozuar 300 milionë euro për skemën e ndihmës nga buxheti i saj vjetor prej 155 miliardë euro dhe 200 milionë euro për 2017 dhe 2018. Komisioneri i Ndihmës Humanitare Kristos Stylianides në një konferencë për shtyp tha se fondet janë të nevojshme për të përballuar krizën brenda bllokut.

Ai shtoi se programi i ri, i cili do të jetë një tipar i përhershëm i buxhetit të BE-së, është parashikuar të përdoret për çdo shtet të BE-së që po has vështirësi në menaxhimin e fluskit të refugjatëve.

Zyrtarët e BE thonë se buxheti është hartuar në bazë të nevojave të secilit shtet dhe të dhënave të Agjensive të Kombeve të Bashkuara. Greqia, në vështirësi nga kriza ekonomike disa vjeçare, ka kërkuar 480 milionë euro për të përballuar nevojat e 100 mijë emigrantëve në vend dhe si portë kryesore e klandestineve që hyjnë nga Turqia do të jetë përfituesja kryesore e skemës së emergjencës.

Pjesë e ndihmës janë edhe vendet ballkanike që preken nga kriza, por edhe ato perëndimore , veçanerisht Gjermania. Më shumë se një milionë njerëz kanë hyrë në Europë në 2015 dhe 133 mijë gjatë këtij viti.

 

 

 

Pin It