Në 104-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uroi shqiptarët përmes publikimit për herë të parë të fetvasë (ligjshmërisë islame) për flamurin kombëtar.
Në këtë dokument të kryetarit të parë të KMSH-së, Haxhi Vehbi Dibrës, njihet ligjshmëria e përdorimit të flamurit kuqezi me shqiponjë, ashtu si përdoret edhe në ditët e sotme. Dokumenti publikohet për herë të parë i plotë dhe ka rëndësi si nga pikëpamja fetare, ashtu edhe nga aspekti juridik e historik.
Kryetari Bruçaj e ka cilësuar këtë dokument si një akt historik të bekimit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndërtimit të shtetit shqiptar.
“Me anë të fetvasë (ligjshmërisë islame) të Haxhi Vehbi Dibrës, kryemyftiut dhe kryetarit tonë të parë të KMSH-së, për përdorimin e flamurit shqiptar me shqiponjë, si një akt dhe dokument historik i bekimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ndërtimit të shtetit shqiptar, i uroj mbarë shqiptarëve kudo që janë Ditën e Flamurit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët në mbarë botën,” thuhet në urimin e kreut Bruçaj.