FA shpërndan ndihma në zonat e izoluara

bora_ne_shqiperi

Forcat e Armatosura kanë angazhuar helikopterë për shpëndarjen e ndihmave në zonat e izoluara, për të përballuar situatën e shkaktuar nga reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Brendshme kanë shpërndarë pako me ushqime dhe batanije për banorët e izoluar të fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës si dhe në qarkun e Dibrës.

Ndihmat e shpërndara janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se strukturat shtetërore po punojnë për sigurimin e infrastrukturës dhe zhbllokimin e rrugëve në mënyrë që të mos ketë probleme me jetët dhe shëndetin e banorëve të këtyre zonave.

Helikopterët e Forcave Ajrore janë në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo emergjence dhe vijojnë bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile për shpërndarjen e ndihmave për banorët e zonave të thella. Gjithashtu, efektivët dhe mjetet e rënda të Forcave të Armatosura mbeten të angazhuara edhe në hapjen e rrugëve rurale që janë ende të bllokuara nga bora.

 

 

Pin It