FMN: “Anulloni taksat për biznesin e vogël”

fmn_1

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se heqja e taksave për biznesin e vogël duhet të anulohet pasi cenon strategjinë e qeverisë për konsolidimin e financave publike.

Në raportin e posaçëm për Shqipërinë, Fondi përgëzon vullnetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll deficitin dhe huamarrjen, ndonëse vëren se kjo është bërë e mundur jo nga rritja e të ardhurave, por duke shkurtuar shpenzimet, veçanërisht ato për investime.

Ekspertët e FMN thonë se mosrealizimi i të ardhurave për vitin e kaluar ishte i lidhur me disa shkaqe përfshirë problemet e administrimit. Përballë kësaj situatë në shtator të vitit të kaluar qeveria nisi një fushatë të gjerë anti-informalitet, por FMN preferon të mbajë një qëndrim konservator për rezultatet e pritshme.

Sipas këtij institucioni, shumica e bizneseve të reja që janë regjistruar bien në kategorinë e ndërmarrjeve mikro ose atyre të vogla, të cilat kanë impakt të limituar në të ardhurat nga taksat.

Po kështu, FMN vëren se pavarësisht aksionit nuk ka patur rritje në xhiron e deklaruar të bizneseve që janë në skemën e TVSH-së.

Pin It